Meta thërret për të bërë betimin, anëtaren e shtatë të Kushtetueses Sonila Bejtja

schedule10:18 - 29 Dhjetor, 2020

schedule 10:18 - 29 Dhjetor, 2020

Presidenti i Republikës Ilir Meta ka thirrur anëtaren e Gjykatës Kushtetuese Sonila Bejtja, për të bërë sot betimin. Bejtja pritet që të betohet para kreut të shtetit ditën e sotme në orën 12:30.

Me emërimin e Bejtjes, gjykata Kushtetuese siguron anëtarin e shtatë. Sonila Bejtja ishte e vetmja në garë për vendin e lirë që u la nga Besnik Muçi.

Për këtë vend ishin në garë dhe Altin Binaj me Zhaklina Peto. I pari u emërua në Gjykatën Kushtetuese pasi garonte edhe për një tjetër vend vakant, ndërsa Peto vijon luftën institucionale me KED-në. Pak ditë më parë Gjykata Kushtetuese u bë funksionale, pasi u emërua anëtari i gjashtë, Altin Binaj.

Gjykata Kushtetuese përbëhet nga 9 anëtarë. Tre anëtarë emërohen nga Presidenti i Republikës, tre anëtarë zgjidhen nga Kuvendi dhe tre anëtarë zgjidhen nga Gjykata e Lartë, e cila nuk është plotësuar vetë akoma.

Gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese qëndrojnë në detyrë për 9 vjet, pa të drejtë riemërimi. s.b/abcnews.al/