Kryeministri Rama ka folur për kthimin e ligjit për teatrin nga presidenti Meta. Gjatë një interviste televizive, shefi i qeverisë tha se ka të njëjtin mendim si para 20 vitesh, se teatri ekzistues duhet shembur. Rama tha se kjo do bëhet, njëlloj si shumë projekte të tjera, ndërsa ndihet shumë komod që qeveris i vetëm.
Ka një pikë që bashkon mazhorancën me opozitën për çështjen e diskutueshme të Tetarit Kombëtar. Ndërtimi i një të riu. Por ajo që i ndan është mënyra se si do të ndërtohet. Nëse e djathta këmbëngul se duhet ruajtur godina e vjetër, Kryeministri Edi Rama e përshkruan si të pamundur ruajtjen e një varri pa vlerë.
“Ne nuk kemi asnjë luks dhe asnjë mundësi që të ruajmë një ngrehinë të tillë që nuk ka asnjë vlerë, në asnjë kontekst të trashëgimisë kultuore botërore dhe ta mbajmë aty si një ngrehinë të vdekur. Ta ruajmë aty për çfarë? Për të bërë çfarë? Çfarë mund të bëjmë aty? Ajo sot është në kushtet që duket si një varr, pa jetë dhe kush shkon atje, shkon o nga pasioni i madh për të luajtur në skenë, o nga inercia e së shkuarës për të shkuar e për të parë shfaqje, sepse dihet se në çfarë kushtesh zhvillohet jeta aty. Për çfarë dhe si mund të mbajmë ne një ngrehinë të tillë në zemër të Tiranës dhe të shkojmë të bëjmë një teatër diku tjetër?! Pastaj si do ta ndërtojmë ne një teatër të ri? Pse nuk është ndërtuar ky teatër i ri për kaq e kaq shumë vite?”
Të njëjtën përgjigje i jep edhe mos dekretimit nga ana e Presidentit të republikës duke e konsideruar nga ana e tij çështje të mbyllur 20 vjet më parë.
“Ky është një diskutim që unë e kam zhvilluar para 20 vjetësh dhe ka 20 vjet që ka mbetur pezull. Këtu nuk ka asgjë të re për të zbuluar. Këtu nuk ka asgjë të re për të diskutuar. Këtu është shumë e qartë: po, jo. Do mbajmë këtë ngrehinë të marrë fund që nuk ka asnjë lidhje me një teatër të standarteve europiane dhe ku është shumë e thjeshtë.”
Akuzat që i drejton opozita janë edhe për mënyrën e përzgjedhjes së kompanisë, pa tender dhe dhënien e sipërfaqjes publike në favor të privatit.Por kjo nuk është një praktikë e rrallë për vendet evropiane sipas kryetarit të qeverisë.
“Së pari njëherë, çfarë gare do të bësh kur je i kondicionuar nga fakti që do të përfshish në këtë zhvillim prona që i zotëron dikush që ka emër dhe mbiemër. Çfarë gare do të bësh?! Së dyti, ligjet e veçanta për investime të mëdha janë rutinë në vende të tjera. Nuk ka asgjë të veçantë në kuptimin se nuk janë praktika kaq të rralla. Ligjet e veçanta janë për të mbrojtur investimet e mëdha. Ky është një investim i madh dhe nga ky investim i madh, shteti në të njëjtin vend ku ka teatrin do të marrë një teatër që do të jetë për publikun, do të jetë pronë e shtetit dhe për këtë shteti nuk do të paguajë asnjë kokërr leku. Ndërkohë që një teatër të ri, të atyre dimensioneve, shteti nuk e ndërton dot kurrë me hapësirën buxhetore që ka. Kurrën e kurrës. Se po të ishte, do të ishte ndërtuar. Ku është problemi këtu?”
Problem nuk i konsideron as 15 pyetjet e Komisionit Evropian duke e justifikuar se u mungon informacioni i saktë.
“Është gjëja më normale që Komisioni Europian të bëj pyetje, pasi Komisioni Europian i referohet një çarçafi me akuza që ka marrë. Nuk i referohet televizorit në Shqipëri, por i referohet çarçafit me akuza që i ka vajtur në tavolinë dhe mbi ato akuza komisioni bën pyetje, patjetër.”
Një gjë është e sigurtë për kryeministrin Edi Rama se teatri i ri do të ndërtohet. Në këtë pikë nuk ndryshon qëndrim ndaj asnjë reagimi të opozitës. Për më tepër që bilanci i të qeverisurit vetëm ia qartëson më shumë projektet që ka për Tiranën e mbarë vendin.
“Dhe patjetër është më mirë vetëm. Nuk diskutohet!”/abcnews.al