Çuçi aplikon për kartën e re të ID: Rinovoni dokumentin, e vetmja mënyrë që të votoni në 25 Prill

schedule13:41 - 28 Dhjetor, 2020

schedule 13:41 - 28 Dhjetor, 2020

Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi, ishte sot në Njësinë 5 ku bëri aplikimin për rinovimin e dokumentit të tij të identifikimit. Ministri bëri thirrje për këdo që tashmë ka një ID të skaduar, t’i drejtohet zyrave të “Aleat”, të cilat do të jenë të hapura edhe ditën e shtunë deri më datë 25 prill.

“Përfitoj nga rasti t’ju bëj thirrje gjithë shqiptarëve që iu ka skaduar dokumenti i identitetit të shpejtojnë për të marrë dokumentin e ri. Karta e identitetit është çelësi kryesor që mundëson që shqiptarët të marrin dhjetëra shërbime online që ofrohen përmes portalit e-Albania.

Këto shërbime përfitohen vetëm duke pasur një dokument identiteti të vlefshëm. Përveç kësaj dua t’ju bëj thirrje shqiptarëve që të aplikojnë për dokument identifikimi, nëse iu ka skaduar, sepse në zgjedhjet e 25 prillit ky dokument do të jetë i vetmi për identifikimin e zgjedhësve”, u shpreh ministri Çuçi.

“Përsa iu përket shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit, janë hapur 6 zyra të reja aplikimi pranë konsullatave në disa vende europiane, në mënyrë që ata të aplikojnë për rinovimin e kartës së identitetit. Aplikimin për kartë identiteti qytetarët mund ta bëjnë në çdo zyrë të kompanisë në Shqipëri pavarësisht zonës ku banojnë. Për të mos krijuar radhë nëpër zyra gjatë aplikimit, ju mund kryeni rezervim online në portalin e-Albania.

Me ndryshimet e fundit ligjore, qytetarët që pajisen me kartë identiteti pas moshës 75 vjeç, nuk kanë më nevojë të rinovojnë sërish këtë dokument derisa të jenë në jetë”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Brendshme./mv.abcnews.al