Triumf fantastik për Partizanin. Ekipi i Ilir Dajës fitoi 4-1 ndaj Kukësit, një prej rivalëve direkt për titullin. Trajneri i ekipit kryeqytetas analizoi suksesin me “poker” në Supersport, ku ndër të tjera tha:
“Merita i takon të gjithë lojtarëve dhe stafit, që ka punuar në mungesën time dhe i uroj fitoren tifozëve, që na ndjekin jashtë stadiumit. Rezultati ishte i merituar sepse të shënosh katër gola janë pjesë e meritës, pavarësisht se Kukësi bëri lojën e vet dhe krijoi rastet e veta.
Lojtarët tanë sakrifikuan më shumë në të dy fazat e lojës dhe ishin më grup dhe të përgjegjshëm për të shkuar te fitorja dhe e vlerësuan në maksimum Kukësin sepse ka arritur rezultate të mira në këto ndeshje. Sot i kam ndjekur të gjithë ndeshjet nga televizori. Ne kemi luajtur në fushë shumë të mirë në raport me fushat e tjera.
Më vjen mirë që kjo fitore erdhi ndaj Kukësit, që ishte në vend të dytë me meritë deri një javë më parë. Kemi marrë një bonus psikologjik mjaft të favorshëm. Penalltia e Carës? Unë nuk kam dashur të bëj asnjëherë rolin e moviolës, por shoh që ka kontakt, pavarësisht se nuk punojmë asnjëherë për simulimet. Nuk i ndihmoj lojtarët të arrijnë të tilla situata.
Partizanit në dëm i mungojnë 7-8 penallti. Më mirë po e mbyll këtu sepse mund të keqinterpretohet. Nuk ka asnjë çështje Melo. Lojtarët kanë hatërmbetje për aktivimizin, por duhet ta tregojnë në stërvitje që ta meritojnë. Melo këtë javë ka bërë vetëm një seancë stërvitore dhe në seancat e tjera ose nuk e ka mbyllur seancën, ose e ka mbyllur para kohe ose ka bërë terapi.
Melo kur të stërvitet rregullisht do të jetë pjesë e ekipit dhe nuk do të largojmë asnjë lojtar në merkaton e janarit, edhe nëse hapet merkato. Ata duhet të mësojnë se klubi i Partizanit është një institucion. Sot ishim më të fortë në tranzicionin negativ.
Elozhet e Demit? Flasim çdo ditë që unë jam në shtëpi. Ndihem shumë i vlerësuar dhe unë mendoj se nuk është për të morritur veshët, por më obligon jashtë mase për të dhënë maksimumin dhe për të bërë efikase investimet e mëdha të tij dhe drejtorit Olsi Rama”, përfundoi Daja. /abcnews.al