Juventusi ka objektiva të mëdha këtë sezon dhe drejtuesit pritet të bëjnë disa goditje në merkaton e janarit. Andrea Pirlo ka nevojë për kohë për të aplikuar futbollin e tij te bardhezinjtë, por kampionët e Italisë nuk po arrijnë të dominojnë më si më parë.
Trajneri ka dy kërkesa: një sulmues me eksperiencë për të zëvendësuar Moratën dhe për t’i dhënë spanjollit mundësinë të pushojë, si dhe një mesfushor klasi. Një nga emrat që qarkullon për majën e sulmit është Fernando Llorente.
35-vjeçari është pjesë e Napolit, teksa është aktivizuar për dy sezone me bardhezinjtë. Ambientin e njeh shumë mirë dhe nuk do kishte vështirësi për t’u përshtatur te Juventusi. Emri tjetër që intrigon “Zonjën e Vjetër” është Mesut Ozil.
Kualiteti i gjermanit nuk vihet në diskutim, por problemet me drejtuesit e Arsenal kanë ndikuar që këtë sezon të mos zbresë për asnjë moment në fushën e blertë. Pirlo do e mirëpriste në skuadër, njësoj si Cristiano Ronaldo, i cili është zbavitur shumë me Ozil në periudhën kur ishin pjesë e Real Madrid. /abcnews.al