Një tjetër raport i Departamentit Amerikan të Shtetit, për vitin 2018, nënvizon se Shqipëria është vend i vështirë për të bërë biznes. Në raporti thuhet se investitorët e huaj të mëdhenj në Shqipëri, raportojnë që u bëhet presion për të punësuar nënkontratorë me lidhje politike.
Korrupsion, mungesë transparence në tendera janë disa nga shqetësimet e shprehura nga Departamenti Amerikan i Shtetit në në raportin për klimën e investimeve për Shqipërinë e vitit 2018. Duke iu referuar investitorëve të huaj departamenti amerikan i shtetit raporton se Shqipëria mbetet vend i vështirë për të bërë biznes.
“Investitorët e huaj përmendin korrupsionin, veçanërisht në gjyqësor, mungesën e transparencës në prokurimin publik dhe zbatimin e dobët të kontratave si probleme të vazhdueshme në Shqipëri. Në vitin 2016, qeveria shqiptare kaloi ndryshime gjithëpërfshirëse kushtetuese për të reformuar sistemin gjyqësor të vendit dhe për të përmirësuar sundimin e ligjit. Zbatimi i reformës gjyqësore është duke u zhvilluar, duke përfshirë verifikimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve për pasuri të pashpjeguara, por investitorët e huaj e perceptojnë klimën e investimeve si problematike dhe thonë se Shqipëria mbetet një vend i vështirë për të bërë biznes”.
Sipas raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit “Investitorët raportojnë shqetësime të vazhdueshme, pasi rregullatorët përdorin legjislacionin dhe rregulloret e vështira për t’u interpretuar, si mjete për të dekurajuar investitorët e huaj dhe për të favorizuar kompanitë e lidhura me politikën.”
“Rregulloret dhe ligjet që rregullojnë veprimtarinë e biznesit ndryshojnë shpesh dhe pa konsultime kuptimplotë me komunitetin e biznesit. Investitorët e huaj të mëdhenj raportojnë presion për të punësuar nënkontraktorë të lidhur politikisht dhe shprehin shqetësimin për pajtueshmërinë me Aktin e Praktikave të Korruptimeve të Huaja gjatë operimit në Shqipëri”.
Analizat e dobëta kosto-përfitim dhe mungesa e ekspertizës teknike në hartimin dhe monitorimin e kontratave PPP. Qeveria kishte nënshkruar më shumë se 200 kontrata PPP deri në fund të vitit 2017, raporton departamenti amerikan i shtetit.
Të drejtat e pronës mbeten një sfidë tjetër në Shqipëri sipas raportit të departamentit amerikan të shtetit duke e argumetuar se disa faktorë përfshijnë aktorë të paskrupullt që manipulojnë sistemin e korruptuar të gjykatave për të fituar titullin e pronësisë në një tokë që nuk është e tyre.
Raporti i departamentit Amerikan të Shtetit për Klimën e Investimeve është një publikim periodik që merr në analizë klimën e investimeve në 170 ekonomi./abcnews.al