Boca Juniors luajti sfidën e kthimit çerekfinale të Kupës Libertadores mëngjesin e sotëm. Xenezies kishin humbur 1-0 në transfertë ndaj Racing Club, por ia dolën të triumfonin 2-0 dhe të kualifikohen në katër skuadrat më të mira të turneut prestigjioz.
Kapiteni i Boca Juniors, Carlos Tevez kishte përvjetorin e martesës, por 36-vjeçari nuk mund të mos merrte pjesë në ndeshjen e rëndësishme të ekipit të tij të zemrës. Sulmuesi luajti gjatë gjithë 90 minutave. Pas ndeshjes ka reaguar me një postim në rrjetet sociale, aty ku i kërkon falje gruas së tij.
“Dua t’i kërkoj falje gruas time për faktin që nuk jam me të dhe fëmijët tanë për të festuar 4-vjetorin e martesës. Ajo më jep forcë për të bërë gjithçka dhe është shumë e rëndësishme për mua.
Ama, duhet ta kuptojë që e kisha për detyrë t’i bëja të lumtur tifozët e Boca Juniors“, deklaron sulmuesi i njohur latin. Në fund zgjodhi të emocionojë tifozët, teksa sigurisht që do të festojë edhe me familjarët e tij. /abcnews.al