Sot është një ditë e rëndësishme për vendin, pasi më në fund u bë me Gjykatë Kushtetuese pas më shumë se dy vitesh, nga prilli i 2018 ishte në ngërç. Aktualisht Kushtetuesja ka 6 anëtarë, pra kuorumin e nevojshëm për të marrë vendime.
Por si po vazhdon procedura tani me zgjedhjen e anëtarëve të tjerë?
Parlamenti ka emëruar tre anëtarët e tij, Presidenti ka emëruar dy deri tani, ndërsa ka edhe një tjetër. Anëtari i tretë me firmën e Presidentit pritet që të emërohet për cështje ditësh. Bëhet fjalë për vakancën e lënë nga Besnik Muçi.
Por si është situata?
Në garë për këtë vend ishin tre kandidatë, Altin Binaj që tashmë është zgjedhur në vakancën e parlamentit, Zhaklina Peto, e cila pasi fitoi luftën institucionale, nuk arriti që të dorëzonte dokumentacionin në kohë në KED për shkak se është e infektuar me koronavirus duke u tërhequr, ndërsa tashmë mbetet vetëm një emër, Sonila Bejtja.
KED pritet që të bëjë pikëzimin, formalitet dhe të mbyllë procedurën për t’ja nisur për dekretim Presidentit. Ndërkohë që mbeten edhe tre anëtarë për të plotësuar përfundimisht Kushtetuesen, të cilët do të zgjidhen nga Gjykata e Lartë (këtu futet pasuesi i Vitore Tushës që i ka mbaruar mandati), e cila nuk është plotësuar vetë me anëtarët.
Gjykata Kushtetuese përbëhet nga 9 anëtarë. Tre anëtarë emërohen nga Presidenti i Republikës, tre anëtarë zgjidhen nga Kuvendi dhe tre anëtarë zgjidhen nga Gjykata e Lartë. Gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese qëndrojnë në detyrë për 9 vjet, pa të drejtë riemërimi./ db/Abcnews.al