Martini: Ndaj Skënderbeut luajtëm dobët, më vjen mirë që Krasniqi u zhbllokua

schedule15:59 - 23 Dhjetor, 2020

schedule 15:59 - 23 Dhjetor, 2020

Teuta arriti të marrë fitoren e dytë rresht ditën e sotme, duke mundur Skënderbeun me shifrat 1-3 dhe përfunduar në këtë mënyrë momentin e vështirë. Pas ndeshjes për Supersport foli trajneri i Teutës, Edi Martini. Ai u shpreh i lumtur për zhbllokimin e sulmuesve, veçanërisht Krasniqit.

“Këto dy fitore radhazi na sollën buzëqeshjen. Më bëhet qejfi që Bregu e Krasniqi shënuan. Krasniqi krijon shumë raste dhe pas atij rasti në Fier ishte keq në gjendjen psikologjike. Fatmirësisht u kthye sot te goli.

Është e vërtetë që toleruam, edhe ndaj Laçit e Skënderbeut e kemi bërë. Nuk duhet të ulim ritmin. Nuk duhet të çohemi nga gjumi kur na godet kundërshtari, por është për tu veçuar grinta dhe karakteri, që kur jemi në vështirësi, çohemi.

I kam thënë edhe Dejvit edhe Krasniqit, i kam folur edhe gjëra popullore, që s’mund t’i them në televizion sepse kam qenë vetë sulmues dhe e di që qetësia është gjëja e duhur. Kemi kërkuar të jemi pragmatistë. Këto dy ndeshje kanë qenë ndër më të dobëtat që kemi bërë.

Këtë javë kemi edhe dy ndeshje të vështira, të jemi me këmbë në tokë, sot u munduam të kursejmë disa lojtarë, Ndeshjet e ardhshme ndaj Tiranës dhe Kukësit janë shumë të vështira. Nuk jam i kënaqur me lojën, por me pikët.

Unë nuk e di se cilin repart kam bosh, kemi vetëm Kouros me probleme. S’kemi biseduar për merkaton, jemi të kompletuar dhe këto djem do e përballojnë deri në fund të sezonit Çdo rol është i dubluar, megjithëse oreksi vjen duke ngrënë”, u shpreh Martini. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!