Qeveria greke ka dalë të enjten me qëndrimin e parë zyrtar në lidhje me zjarret që shkatërruan gjithçka në lindje të Athinës. Në një komunikim me mediat, ministri i Brendshëm ka deklaruar se bëhet fjalë për zjarrvënie të qëllimshme.
Zjarri i së hënës që vraru mbi 80 persona dhe shkatërroi një qytezë turistike në lindje të Athinës ka qenë i qëllimshëm.
Me këtë qëndrim ka dalë të enjten qeveria greke, pas hetimeve paraprake të kryera nga Anti-terrori grek dhe të koordinuara nga Prokuroria e Athinës.
“Kemi të dhëna serioze dhe indicie që sugjerojnë se bëhet fjalë për një akt kriminal, për zjarrvënie”, ka deklaruar ministri i Brendshëm dhe Mbrojtjes Civile, Nikos Toskas.
Në një konferencë për shtyp, Toskas ka nënvizuar se policia ka gjithashtu dëshmitarë që e vërtetojnë këtë pistë, por nuk ka dhënë detaje. Një ditë më parë agjencia e lajmeve “Reuters” raportoi se policia po hetonte mënyrën se si zjarri ra, në tre lokalitete të ndryshme, por në të njëjtën kohë dhe të njëjtën ditë kur një tjetër vatër zjarri ishte në perëndim të Athinës.
Ndërkohë, ndërtimet pa kriter e pa leje, një fenomen i njohur në zonat turistike të Greqisë, janë vlerësuar si një prej shkaqeve që çuan në vdekjet e njerëzve.
“Si ka mundësi që përpara gjithë këtyre viktimave, askush nuk heton se cili është përgjegjës për këtë plan urbanistik kaotik”, ka deklaruar ministri i Infrastrukturës, Christos Spiritz.
Ndërkohë, qeveria e majtë ka publikuar një liste me ndihma për familjet që kanë humbur njerëzit e tyre, mes të cilave parashikohet një pagesë prej 10 mijë eurosh dhe një vend pune në sektorin publik. Por për shumë vetë, kjo nuk mjafton për të lehtësuar dhimbjet.
“Është një pikë ujë në oqean”, ka komentuar gazeta “Ta Nea”./abcnews.al