Katër muaj përpara zgjedhjeve, Lulzim Basha bën lëvizjen e radhës duke nisur caktimin e drejtuesve politikë në qarqe. Në Shkodër, lideri demokrat ka caktuar Helidon Bushatin, ndërsa në Fier do të jetë Enkelejd Alibeaj.
Gazetari i “ABC”-së Juxhin Mustafaraj mëson se Bushati do të prezantohet pasditen e sotme në Shkodër nga sekretari i përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi.
Ish-deputeti i PD-së, Helidon Bushati në 2017 pranoi që të largohej nga lista e Shkodrës. Ai sot është anëtar i Autoritetit të Konkurrencës, por Lulzim Basha e rikthen duke i besuar “timonin” e fushatës në kryeqendrën e veriut. Përballë tij do të jetë Ilir Beqja, që është caktuar nga socialistët në Shkodër.
Ndërkohë që nesër do të prezantohet Alibeaj në Fier, i cili është ish-deputet i kësaj force politike dhe ministër Drejtësie, ish-kandidat për kryetar bashkie në zgjedhjet vendore të 2015 dhe drejtues politik në zgjedhjet e 2017.
Në Vlorë do të jetë drejtues politik, Bujar Leskaj, ish-ministër i qeverisë Berisha dhe ish-kryetar i KLSH-së, ndërsa tashmë rikthehet për të drejtuar fushatën në zgjedhjet e ardhshme.
Në vijim do të prezantohen edhe emrat e tjerë të drejtuesve politikë në qarqe. Drejtuesit politikë do të udhëheqin fushatën elektorale për zgjedhjet parlamentare të 25 prillit 2021./ db/Abcnews.al