Veriu i Athinës është goditur nga reshje të dendura shiu që kanë shkaktuar përmbytje të disa zonave. Autoritetet njoftojnë se nuk ka persona të lënduar, por vetëm dëme materiale.
Kryeqyteti i Greqisë, Athina po goditet rëndë nga fatkeqësi të njëpasnjëshme natyrore. Pas zjarrit që shkrumboi çdo gjë që i doli para në jug të rajonit të Atikës, tashmë moti i keq po godet periferitë veriore, duke krijuar probleme të reja të mëdha në strukturën urbane. Mediat greke raportojnë se zona të shumta në Athina janë përmbytur nga vërshimet e ujit.
Autoritetet njoftojnë se që nga fillimi i stuhisë, kanë marrë mbi 60 telefonata për ndihmë nga zonat në veri të Atikës. Trafiku i automjeteve është ndaluar në disa rrugë. Mësohet se nuk ka pasur persona të lënduar, por vetëm dëme të shumta materiale.
Ndërkohë, sipas parashikimeve të sinoptikanëve, moti i keq me reshje të dendura do të vijojë deri në fundjavë në zonën e Atikës.
“Fenomeni do të jetë i shpeshtë në vend dhe në disa raste mund të shoqërohet me breshër”, njoftojnë ekspertët.
Ndërkohë, përveç Athinës, përmbytje ka pasur edhe në prefekturën dhe qytetin e Selanikut./abcnews.al