Balliu: Para se të shkojnë në gjyq, gjyqtarët bëjnë telefonata me deputetë

schedule13:02 - 21 Dhjetor, 2020

schedule 13:02 - 21 Dhjetor, 2020

Ish-deputeti i PD, Klevis Balliu bëri paraqitjen e radhës para Gjykatës së Tiranës lidhur me gjyqin për protestat e banorëve të Unazës së Re.

Balliu u shpreh për mediat se ka qëndruar rreth dy orë në gjykatë. Ish deputeti tha se përveç tij që ka 318 procedime penale, një banor i Unazës së Re ka mesatarisht 30 gjyqe.

“Kam qenë dy orë aty brenda. Nuk shoh asnjë gjyq për afera korruptive. Janë katër të arrestuar aty për 16 shkurtin.

A kam apo nuk kam frikë unë, unë nuk rrija dy vjet të përballesha. Po të kisha frikë, kur u arrestova herën e parë kisha shkuar në shtëpi e nuk dilja prapë. As unë e as kolegët e mi. Ne kemi 30 vjet, anëtarët e PD, që nuk i trembemi komunistave. Sepse këta nuk janë asgjë më pak, asgjë më shumë, bijë të etërve të tyre. Dhe nuk është filozofi politike, ne po e japim me prova. Thoshim që regjimi bashkëpunon me Sigurimin e Shtetit, sot me kë bashkëpunon? Ai Loka, që sulmoi artistët e shkatërroi Teatrin, a është bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit? Të dalë ta mohojë. Si e kaloi vettingun ky? Po ai që u kap për OFL-në. Edhe ai ka qenë me shkollë sigurimi, nuk lejohet me ligj që të ishte aty, por ishte kryetari i OFL. Dhe tani na del që ka qenë i korruptuar.

Këta janë një regjim diktatorial, Këta kanë 8 vjet që vjedhin qytetarët shqiptarë dhe e them dhe e përsëris: i vetmi lajm i mirë këtu është që Shqipëria mund të bëhet. Ka nevojë për një qeveri të përgjegjshme, ka nevojë për një politikë të përgjegjshme dhe është esenciale që këtu të largohen kthetrat e politikës nga gjyqtarët, nga gjykata, nga drejtësia. Se ka gjyqtarë që kanë më shumë telefonata me politikanë se me familjarët e tyre. Para se të shkojnë në gjyq duhet të bëjnë telefonata me 7-8 deputetë të ndryshëm.

Ka dy vjet që këta banorë paguajnë avokatë për gjyqe. Mesatarisht një banor i Unazës ka 30 gjyqe. Unë kam 318 procedime penale. Duhen 7 breza që të mbarojë me këto gjyqe. Dhe për çfarë? Për një protestë. Pse nuk i bashkon prokuroria kur bëhet fjalë për të njëjtën çështje, për të njëjtën protestë? Do ti dëmtojë ekonomikisht, do t’ju bëj presion. Vetëm për këtë arsye“, tha Balliu.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!