Varianti i ri i COVID-19 ka bërë që shumë shtete të ndalojnë udhëtimet me Mbretërinë e Bashkuar.
Shteti i fundit që ka pezulluar fluturimet është Kanadaja, pasi varianti i ti i koronavirusit, sipas zyrtarëve të shëndetësisë, përhapet më shpejt.
Kryeministri kanadez Justin Trudeau konfirmoi lajmin të dielën përmes një mesazhi në Twitter se Kanadaja do të ndalojë shumicën e udhëtimeve të pasagjerëve nga Britania e Madhe duke filluar nga mesnata e së dielës për të paktën 72 orë. Ai tha se ky vendim po merrej për të mbrojtur kanadezët në të gjithë vendin.
Një ditë më parë, Franca njoftoi se do të ndërpresë udhëtimin për dhe nga Mbretëria e Bashkuar për 48 orë duke filluar në mesnatë me kohën lokale, për shkak të “rrezikut të ri shëndetësor”, tha kryeministri francez Jean Castex. Si Porti i Dover ashtu edhe Eurotunnel njoftuan më pas mbylljet.
Republika e Irlandës po ndalon fluturimet nga Britania të hënën dhe të martën. “Në interes të Shëndetit Publik, njerëzit në Britani, pavarësisht nga kombësia, nuk duhet të udhëtojnë në Irlandë, me ajër ose me det,” njoftoi qeveria irlandeze në një deklaratë. Italia gjithashtu do të pezullojë fluturimet për dhe nga Mbretëria e Bashkuar, si dhe ndalimin e hyrjes për këdo që ka qenë në Britani në dy javët e fundit, tha ministri i Shëndetësisë Roberto Speranza në Facebook të dielën.
Portugalia do të lejojë vetëm shtetasit portugezë të arrijnë në fluturime nga Mbretëria e Bashkuar dhe ata duhet të kenë një test negativ Covid-19, sipas Ministrit të Brendshëm të vendit.
Ndërkohë, Kryeministri belg Alexander De Croo tha se Belgjika do të bllokojë udhëtarët nga Mbretëria e Bashkuar për 24 orë të hënën si një “masë paraprake”, megjithëse ndalimi mund të zgjatet nëse është e nevojshme.
Holanda dhe Letonia njoftuan ndalime më të gjata të fluturimeve që vijnë nga Mbretëria e Bashkuar, që zgjasin deri në vitin e ri. Qeveria holandeze, e cila gjithashtu ndaloi pasagjerët e trageteve që mbërrinin nga Britania e Madhe, tha se i njëjti variant i virusit ishte zbuluar në Holandë. Estonia njoftoi gjithashtu një pezullim të trafikut ajror me Mbretërinë e Bashkuar deri në fund të vitit.
Dhe Republika Çeke vendosi një karantinë të detyrueshme 10-ditore për këdo që mbërrin nga Mbretëria e Bashkuar duke filluar nga e diela./abcnews.al