Julian Ahmataj, trajneri i Skënderbeut, pas barazimit me Tiranën, në emisionin “Gol pas Goli” në Supersport, u shpreh: “Kemi luhatje në lojë për shkak të mungesës së eksperiencës. Isha më i qetë kur ishim 11 kundër 11. Ndikon në psikologji, kundërshtari motivohet.
Ata morën vrull me golin e shënuar dhe e patëm të vështirë. Nuk duhet të mërzitemi, duhet të shohim përpara. E dimë ku jemi, sa forcë kemi. Më ngel pishman se e falim vetë dhe kjo është e tmerrshme”.
“Nuk jam marrë kurrë me gjyqtarët, por çdo javë na mohohet penallti. Marrim vetëm kundër, por metri duhet të jetë më i mirë. Është penallti dhe nuk ka vend për fjalë. Ky lloj 11-metërshi të zgjidh ndeshjen, pasi shkon 2-0. Veç halleve tona na shtohen edhe këtë. Arbitrat duhet të na respektojnë, jemi një skuadër e re dhe nuk e mban dot një presion të tillë”.
“Rastet e humbura nga Mensah? Është lojtari që punon më shumë. I kemi vëën një sulmues pas që të jetë më efikas. Goli i parë ishte meritë e tij, bëri një kryevepër dhe pasoi për shokun”, tha në vazhdim Ahmataj.
“Zëvendësimet i bëra në mesfushë, por ai që doli jashtë për kundërshtarin ndikoi. Lojtarët ishin perfekt kur ishte kundërshtari me 11 vetë”, përfundoi trajneri i Skënderbeut. /abcnews.al