Në një kohë që në mbarë vendet e Bashkimit Evropian është ulur numri i emigrantëve të paligjshëm, në Shqipëri ka pësuar rritje gjatë muajit qershor. Të dhënat janë publikuar nga agjencia evropiane për kufijtë tokësorë e detarë Frontex.
Në gjysmën e parë të vitit 2018, numri total i kalimeve kufitare të parregullta në Bashkimin Evropian pothuajse u përgjysmuan krahasuar me një vit më parë, numri i të cilëve ishte rreth 60.430. Kjo shifër u bë publike nga Frontex, Agjencia Europiane për Kufijtë Tokësore dhe Bregdetarë.
Në Qershor, rreth 13.100 kalime të parregullta u zbuluan në rrugët kryesore të migracionit në BE, 56% më pak se në të njëjtin muaj të vitit të kaluar. Ndërsa në Mesdheun qendror dhe atë lindor ka rënë fluksi, Ballkani Perëndimor ka pësuar rritje.
Më konkretisht rruga kryesore migratore në Ballkanin Perëndimor nga Serbia në Hungari dhe Kroaci, vazhdon të shohë një numër të vogël migrantësh të parregullt. Megjithatë, një rrugë paralele nëpërmjet Shqipërisë, Malit të Zi dhe Bosnjës dhe Hercegovinës, si dhe nga Serbia në Bosnje Herzegovinë, ka parë rritje të shtegtarëve në muajin Qershor sipas Frontex.
Muajin e kaluar, Mesdheu perëndimor për herë të parë u bë rruga më e përdorur në Evropë. Numri i emigrantëve që arritën në Spanjë u rrit me 166% krahasuar me një vit më parë në gati 6.400 në Qershor. Në gjysmën e parë të vitit 2018, pati rreth 14.700 kalime kufitare të parregullta në Rrugën e Mesdheut perëndimor, pothuajse dyfishin e shifrës nga një vit më parë. Shtetasit e Marokut, Guinea dhe Mali rezultojnë si shtetasit me numrin më të madh të migruesve në Spanjë këtë vit.
Nërsa shtetasit e Sirisë dhe Irakut zgjodhën rrugën e Mesdheut lindor për të emigruar. Në 6 muajt e parë të vitit 2018 në kufijtë tokësorë me Turqinë numërohen të kenë kaluar rreth 24.300 emigrantë. Rënie drastike kanë pësuar kalimet e paligjshme drejt Italisë. Agjencia Frontex raporton se vetëm në Qershor janë regjistruar rreth tre mijë emigrantë, 87 përqind më pak se Qershori i vitit të kaluar./abcnews.al