Zona turistike e Gjirit të Lalëzit shumë shpejt do të ketë një nënstacion të ri elektrik, që pritet t’i japë fund problemeve të furnizimit me energji elektrike. Ministri i Infrastrukturës, Damian Gjiknuri, paralajmëroi investime të ngjashme edhe në zonat e tjera turistike, si ajo e Orikumit, apo Velipojës.
Në zonën turistike të Gjirit të Lalëzit po vijon puna për ndërtimin e nëntacionit të ri elektik. Investimi në vlerën 458 milionë lekë është kryer në masën 40% deri më tani dhe pritet të përfundojë plotësisht në fillim të vitit të ardhshëm. Paralelisht me këtë investim, Operatori i Sistemit të Transmetimit po ndërton linjën 110 kV Sallmone-Gjiri i Lalëzit.
Ministri i Infrastrukturës, Damian Gjiknuri, bashkë me administratorin e Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, Adrian Çela, inspektuan kantierin, ku po punohet për ndërtimin e nënstacionit të ri të Gjirit të Lalëzit.
“Është një zonë, e cila është që nga koha e elektrifikimit e paprekur, e painvestuar, përsa i përket energjisë elektrike. Ka nisur fazën e parë që është realizimi i këtij nënstacioni dhe do të pasohet me fazën e dytë në fund të vitit, me zhvillimin e rrjetit 20 kilovolt që është një investim tjetër rreth 1 miliard lekë të reja, ku parashikohen rreth 10 fidera të linjës 20 kilovolt dhe zgjidhin përfundimisht problemin e energjisë elektrike të gjithë kësaj zonës, jo vetëm të Gjirit të Lalzit, të fshatrave përreth, Hamallaj e Ishëm. Paratë që qytetarët paguajnë për konsumin e energjisë elektrike, Operatori ia kthen qytetarëve me cilësi shërbimi me investime me një furnizim më të mirë të energjisë elektrike”.
Ndërsa ministri Gjiknuri u ndal tek filozofia me të cilën tanimë do të strukturohet plani i investimeve që do të kryhen në rrjetin elektrik me përparësi turizmin.
“Investimet në këtë fazë do të fokusohen në dy drejtime: Një, duke i paraprirë zhvillimeve të mundshme apo duke investuar në ato zona që kanë potencial të madh të rritjes ekonomike, siç janë zonat me përparësi turizmi. Këtu jemi në një nga zonat, por njëkohësisht do të investohet në zonën e bregut, në zonën e Orikumit dhe në bregdetin e Velipojës në mënyrë që i gjithë brezi ku pritet një investim i madh në fushën e turizmit dhe ku do të ketë aktivitet ekonomik të shtuar do të mbulohet me një furnizim bashkëkohor të energjisë elektrike”, u shpreh ministri Gjiknuri.
Sipas tij, objektivi i dytë është kryerja e investimeve në ato element që çojnë në mirëmenaxhimin e kompanisë, si në sistemet e matjes, në sistemet e menaxhimit të flukseve të energjisë në mënyrë që të administrohen më mirë të ardhurat nga Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike që do të bëjnë të mundur në të ardhmen edhe fillimin e hapave të parë të liberalizimit të tregut të energjisë elektrike. Deri më tani OSHEE ka investuar mbi 1.5 miliardë lekë për infrastrukturën energjetike nga Gjiri i Lalzit, e deri në Golem të Kavajës./abcnews.al