Komisioni i Pavarur i Kualifikimit në seancën dëgjimore me kryetarin e Gjykatës se Lartë, Xhezair Zaganjori, evidentoi probleme me deklarimet e kryegjyqtarit. Ndryshe nga raporti pozitiv i Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktin e Interesit, hetimi i KPK-së kishte zbuluar se në deklarimet e pasurive kishte mospërputhje vlerash dhe dyshime për shmangie taksash nga ana e Zaganjorit.
Përballë një tresheje gjykuese të Vettingut, Kryetari i Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori, ish-diplomat dhe ish-anëtar i Kushtetueses tha se e kishte mbeshtetur Reformën në Drejtësi në tërësi, pasi në sistem kishte vend për përmirësim.
Por deklarata e tij u parapri nga një relatim i Komisionit që ngriti pikëpyetje të mëdha mbi pasuritë e Zaganjorit. Ndryshe nga raporti pozitiv i përcjellë nga IKDKPKI, hetimi i KPK kishte zbuluar një sërë problematikash në deklarimet e pasurive, mospërputhje vlerash deri tek dyshimet për shmangie taksash nga ana e kryegjyqtarit.
Sipas KPK, Zaganjori dhe bashkëshortja e tij zotëronin një apartament 293 m2 në Tiranë, një dyqan 70 m2, një bodrum 65 m2 dhe një zyrë 15 m2, të gjitha pjesë e një godinë pranë qendrës së Tiranës. Njëkohësisht ata kishin në pronësi një apartament 81 m2 në Durrës, si edhe disa depozita, llogari kursimi apo llogari rrjedhëse, që varionin nga 27 mijë lekë deri në 14 mijë euro. Për pasuritë e patundshme Zaganjori kishte deklaruar si burim të ardhura nga shitja e shtëpisë së vjetër, të ardhura nga qiratë dhe kursime. Por sipas KPK të ardhurat e bashkëshortëve nuk justifikonin këto pasuri. Për më tepër për apartamentin, dyqanin, bodrumin dhe zyrën shifra e vlerës së tyre e deklaruar nga Zaganjori, nuk përputhej me shifrën e kontratës noteriale të paraqitur prej tij në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Patundshme. Në Hipotekë këto pasuri me kontrata shit-blerjeje nga 500 mijë lekë. “Subjekti ka kryer deklarim të pasaktë dhe fiktiv, nuk ka burime të ligjshme dhe ka shmangie tatimesh”, relatoi komisioni për secilin rast.
Nga ana e tij, Zaganjori shpegoi se godina ku gjendeshin këtoi pasuri ishte ndërtuar mbi një truall të trashëguar të bashkëshortes së tij. Në lidhje me kontratat 500 mijë lekëshe në vitin 2001, kreu i Gjykatës së Lartë tha se ato ishin bërë vetëm për të formalizuar të drejtën e pronësisë. Ne i zotëronim pasuritë që në vitin 1997, tha ai, kohë kur unë kam lidhur kontratë për energjinë dhe ujin.
KPK konstatoi se Zaganjori nuk kishte pasur burime të mjaftueshme edhe për paratë e shpenzuara në Angli dhe Gjermani për shkollimin e dy djemve të tij. Më tej Komisioni tha se për tre vite, gjyqtari kishte shpenzuar para më shumë se sa kishte pasur të ardhura.
Pretendimet u kundërshtuan nga kryegjyqtari, i cili këmbënguli se çdo pasuri e tij ishte e ligjshme. Ai përmendi angazhimin e tij 40 vjeçar në profesion, mësimdhënien në Fakultetin Juridik dhe Shkollën e Magjistraturës si edhe angazhimin në institute studimore gjermane dhe shqiptare, ku ka përfituar shuma të konsiderueshme financiare. Ai nënvizoi se kishte shfrytëzuar një udhëtim në Gjermani për të shkuar personalisht në një prej këtyre instituteve për të marrë dokumentacion mbështetës mbi pagesat.
Në përfundim të shpjegimeve të tij Zaganjori nuk tha vetëm frazën klasike “kërkoj konfirmim në detyrë”. Ai theksoi para Komisionit se kishte ndërgjegjen e pastër pasi gjatë gjithë veprimtarisë së tij profesionale nuk kishte përfituar asnjë cent në mënyrë të jashtëligjshme.
Vendimi përfundimtar për kryetarin e Gjykatës së Lartë pritet të shpallet në 24 Korrik./abcnews.al