Dita e pestë e protestës për Rashën, policia: 4 të arrestuar e 46 të proceduar

schedule09:12 - 14 Dhjetor, 2020

schedule 09:12 - 14 Dhjetor, 2020

Katër persona janë arrestuar dhe 46 persona të tjerë janë proceduar në gjendje të lirë, pasi morën pjesë në ditën e pestë të protestës për vrasjen e Klodian Rashës, në Tiranë.

Sipas asaj që njofton policia, të dielën, “në Sheshin “Skenderbej” nisi një tubim i paligjshëm, i cili vazhdoi më pas në drejtim të godinës së Kryeministrisë, në afërsi të DVP Tiranë, në drejtim të “Bllokut” dhe disa më pas të ndarë me grupe janë kthyer sërish në Sheshin “Skëndërbej” dhe duke vazhduar më tej në rrugën e Durrësit, rrugën “Dritan Hoxha” dhe Sheshit Shqiponja, ku kanë dëmtuar gjatë rrugës së përshkruar kazanët e mbeturinave, sinjalistikën rrugore, reklamat e bashkisë dhe vend-stacionet e mjeteve të transportit publik.

Po ashtu, njoftohet se si pasojë e goditjes me gurë, lëndëve piroteknike dhe sendeve të forta në drejtim të punonjësve të policisë, është dëmtuar një punonjës policie.

Të arrestuarit dhe të proceduarit janë nën akuzë për për kryerjen e veprave penale “Organizimi dhe pjesëmarrja ne grumbullime e manifestime të paligjshme”, “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, “Prishja e qetësisë publike”, “Shkatërrimi i pronës ” , ”Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik” dhe ‘’Mbajtja dhe përdorimi i lëndëve plasëse dhe piroteknike’’. s.b/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!