Vdekja e Paolo Rossit i ka trishtuar të gjithë. Ish-kampioni i madh italian humbi betejën me sëmundjen e keqe të enjten. Idhull për tifozët italianë, teksa të paharrueshme mbeten fitimi i Kupës së Botës dhe “Topit të Artë” në vitin 1982.
Drejtori sportiv i Lazios, Igli Tare është një nga shumë shqiptarët që janë tifozë me kombëtaren e kaltër. Në një prononcim për DAZN, Tare ndjen dhimbje për shuarjen e Paolo Rossit, një prej idhujve të tij kur ishte i vogël.
“Paolo Rossi ka qenë idhulli im në fëmijëri. Më kujtohet shumë mirë kur unë dhe familja ime ndiqnim ndeshjet në TV, ishim të gjithë tifozë të Italisë. E kam admiruar gjithmonë si futbollist.
Më vonë pata fatin ta njihja nga afër. Vdekja e tij është një humbje e madhe për Italinë dhe futbollin botëror“, deklaroi Igli Tare përpara nisjes së takimit Lazio-Hellas Verona. /abcnews.al