PDIU ka reaguar ndaj protestave të ditëve të fundit në vend për vrasjen e 25 vjeçarit Klodian Rasha. Përmes një deklarate për mediat PDIU dënon me forcë dhunën, egërsinë dhe ndalimet masive në komisariate, të të rinjve, fëmijëve dhe përfaqësuesve të medias.
Ndër të tjera në reagimin e saj PDIU i bën thirrje gjithë institucioneve të rendit të mos provokojnë më dhunën dhe destabilitetin e vendit, të heqin dorë nga cënimi i së drejtës së protestës dhe të mos harrojnë që përgjegjësit e dhunës shtetërore do të mbajnë përgjegjësi individualisht për aktet e tyre.
“Me keqardhje vërejmë se situata pas egzekutimit te Klodian Rashës nga forcat e rendit, po rëndohet nga ora në orë. Asnjë reflektim nuk po vjen nga Kryeministri, i cili vazhdon të inspirojë filozofinë e dhunës dhe egërsisë që po ushtrohet pa asnjë kufi mbi fëmijët tanë. Qindra të rinj e fëmijë po mbahen forcërisht nëpër komisariate duke shkelur çdo parim të së drejtës së fjalës dhe të drejtës së protestës.
Këto ditë proteste, të një brezi të ri i cili ndjehet i vrarë,i zhgënjyer dhe i keqtrajtuar kanë nxjerrë haptazi fytyrën e një shteti policor, i cili ka rrëshkitur në autoritarizëm e ku i vetmi mjet komunikimi që ka me qytetarët e tij është dhuna e egër mbi ta.
PDIU i bën thirrje gjithë institucioneve të rendit të mos provokojnë më dhunën dhe destabilitetin e vendit, të heqin dorë nga cënimi i së drejtës së protestës dhe të mos harrojnë që përgjegjësit e dhunës shtetërore do të mbajnë përgjegjësi individualisht për aktet e tyre”, thuhet në deklaratën e PDIU-së./abcnews.al