Policia e shtetit njofton se nga protesta e mbrëmshme në Tiranë për vrasjen e të riut Klodian Rasha janë plagosur 3 efektivë. Policia thotë se këto grupe kanë sulmuar me gurë e me lëndë piroteknike Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë.
“Si pasojë e dhunës me gurë, pllaka guri, sende të forta dhe lëndë piroteknike u plagosën 3 punonjës policie, duke u shkaktuar dëmtime të rënda fizike, u shkatërrua sinjalistika horizontale dhe vertikale në rrugët e lartpërmendura, semaforët, llambadarët e ndriçimit të rrugëve, u është vënë flaka kazanëve të mbeturinave, si dhe në institucionet shtetërore dhe subjektet private janë shkaktuar dëme të mëdha materiale” deklaron policia.
Policia thekson se strukturat operacionale kanë bërë të mundur filmimin e personave të dhunshëm të cilët plagosën punonjësit e Policisë dhe shkatërruan pronën publike e private dhe në bazë të filmimeve kanë bërë shoqërimin e tyre. 25 persona janë arrestuar mbrëmë dhe 130 po hetohen në gjendje të lirë, ndërkohë, vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë.
Policia e Shtetit u bën thirrje të gjithë atyre që “duan të protestojnë që të mbajnë parasysh se në këtë kohë të jashtëzakonshme për shëndetin e njerëzve tubimet e më shumë se 10 personave janë të ndaluara me ligj dhe po ashtu çdo përdorim dhune është i dënueshëm nga ligji. Gjithashtu, Policia e Shtetit sjell në vëmendjen e çdo nxitësi apo ushtruesi dhune ndaj uniformave të Policisë, se efektivët e saj e kanë për detyrë të reagojnë proporcionalisht dhe nuk do të ngurrojnë ta bëjnë këtë në asnjë rast dhe për asnjë arsye” mbyllet apeli./ db/Abcnews.al