Komisioneri për zgjerim në Bashkimin Evropian, Johanes Hahn, u largua nga Shqipëria duke lënë pas një sërë detyrash që duhet të realizohen deri pranverën e ardhshme. Qeveria shqiptare ka bërë publike strukturën, e cila do të merret me planifikimin dhe koordinimin e procesit “screening”.
Qeveria shqiptare duhet të rrisë ritmin e zbatimit të reformave, kjo është kërkesa kryesore e Bashkimit Evropian për procesin që do të aplikohet deri në Qershorin e ardhshëm, kur pretendohet të hapen zyrtarisht negociatat. Nga ana e saj, qeveria shqiptare ka publikuar strukturën që do të merret me planifikimin dhe koordinimin e procesit “screening”.
Kreu i delegacionit shtetëror për dialogun politik me Komisionin dhe vendet anëtare të Bashkimit Evropian do të jetë Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati.
Koordinimin teknik të procesit të screening dhe punës përgatitore për hapjen e negociatave, qeveria shqiptare cakton Zv/ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme, Genti Cakaj.
Njësia ekzistuese e koordinimit të procesit të integrimit evropian në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme do të forcohet për t’u shndërruar në Sekretariatin e ardhshëm i cili do të sigurojë në kohë dhe cilësi ndërveprimin institucional dhe monitorimin e procesit.
Fuqizimi i strukturave koordinuese dhe përgjegjëse në Ministritë e Linjës, dhe veçanërisht në Ministrinë e Drejtësisë dhe Ministrinë e Brendshme, të cilat mbajnë dhe barrën më të madhe të procesit të screening për kapitujt 23-24, kapituj këto, të cilët përkojnë dhe me fushat prioritare të reformave tona të brendshme në drejtim të forcimit të shtetit të së drejtës.
Komisoneri për Zgjerim, Johanes Hahn, tha se duke nisur nga shtator do të zhvillohen takime në Bruksel, kapitull pas kapitulli, mes palëve ku në fokus do të jetë kapitulli 23 dhe 24. Hahn u shpreh se çdo ministri duhet të ketë një personel të mjaftueshëm dhe me përvojë. As paratë nuk do të kursehen në këtë proces, por ende nuk është bërë publike shuma e parave që do të paguajnë shqiptarët për hapjen e negociateve me Bashkimin Evropian./abcnews.al