Jose Mourinho i ka hedhur sytë nga Kroacia për të forcuar skuadrën e tij, Manchester United. Trajneri portugez pritet të bëjë ofertë për dy nga lojtarët më të mirë.
Punën e përkohëshme në Rusi tashmë e mbylli.
Jose Mourinho i bëri parashikimet e tij për Botërorin, ndërsa tani iu kthye profesionit të tij parësor, atij të trajnerit, duke u bërë menjëherë lajm.
Trajneri i Manchester United kërkon dy nga kroatët nënkampionë të botës, dhe pikërisht Ivan Perisiçin dhe Ante Rebiçin.
Dy lojtarët e mesfushës ishin ndër heronjtë kryesorë që ndihmuan kombëtaren e tyre të arrinte deri në finale të Botërorit, duke mundur radhazi Nigerinë, Argjentinën, Islandën, duke eleminuar Danimakën, mundur Anglinë e humbur vetëm në finale ndaj Francës.
Mourinho është gati të paguajë 104 milionë euro, gjithsej, për të dy, që në Angli bëjnë 92 milionë paund stërlina.
Perisiç, yll i Interit, ka qenë në vëmendjen e portugezit edhe sezonin e kaluar, por nuk u arrit të merrej.
Për të jepen 54 milionë euro.
Rebiç, tepër i fortë e këmbëngulës ishte zbulim në Botëror, por ka qenë gjithashtu në nivel të lartë në Gjermani, në radhët e Ajntrahtit të Frankfurtit, të drejtuar nga trajneri i tanishëm i Bajernit, kroati Niko Kovaç.
Për lojtarin e Bundesligës janë gati 50 milionë euro.
Murinjo ka nisur punën për sezonin e ri, ku synon të sfidojë Manchester City-n për titullin kampion në Angli, e për të pretenduar Championsin.
Ai ka marrë edhe brazilianin Fred, si dhe synon mbrojtësin e Anglisë, Harri Megajer./abcnews.al