“I dhamë 13 mijë euro”, Ngoo replikë Halilit: Tregohu i ndershëm, kam sakrifikuar!

schedule09:35 - 9 Dhjetor, 2020

schedule 09:35 - 9 Dhjetor, 2020

Michael Ngoo dhe Refik Halili, presidenti i Tiranës, replikojnë përmes mediave. Kreu i klubit bardheblu hodhi poshtë pretendimet se sulmuesi anglez nuk është paguar, ndërkohë ka ardhur reagimi. “Nuk kthehem te Tirana sepse nuk kanë plotësuar pagesat e sezonit të shkuar”, është shprehur për “Panorama Sport” sulmuesi, i cili nuk ndalet me kaq.

“Ky është fakt dhe për këtë kam prova që tregojnë mospagesën. Mbetem në pritje për këtë çështje. Të gjitha ato që shpjegonte presidenti nuk janë të vërteta. Ai ka gënjyer. Kam bashkëbisedimin me të që ra dakord për të më paguar, por ditën më pas nuk ndodhi. Kjo është situata ime me Tiranën. Në këto kushte nuk vazhdova më bisedimet.

Nëse nuk plotësojnë kërkesat që kam ndaj Tiranës unë nuk kthehem në Shqipëri. Nëse mbyllet gjithçka pozitivisht, kthehem. Presidenti duhet të jetë i ndershëm me atë që thotë. Unë kam sakrifikuar shumë për klubin. Të gjithë ata që kanë sakrifikuar kanë ikur si Egbo, drejtori (Arbi Laçi), Mario (Nikolli). Stafi i ri nuk ka bërë afrimet e sezonit të shkuar dhe për këtë qëllim skuadra nuk do të ecë”, deklaron Ngoo.

ÇFARË THA HALILI PËR NGOO – Presidenti i Tiranës, Refik Halili, ishte i ftuar të hënën në mbrëmje në emisionin “Pressing” në ABC dhe foli edhe në lishje me sulmuesin Michael Ngoo. Ai dha versionin e tij të gjithë asaj që ka ndodhur me futbollistin anglez.

“E respektoj për golat dhe asistet që ka dhënë, edhe për kontributin e tij. Para se t’i përfundonte kontrata, negociatat kanë qenë të vazhdonte me ne. Ngoo bëri një propozim: nëse doni të qëndroj, dua 10 mijë euro në muaj edhe shtëpinë, që e ka pasur gjithmonë.

I thamë që jemi dakord, por të vish me 8 mijë euro në muaj dhe të kesh shtëpinë. Po afrohej finalja e Kupës, ai tha se e kishte bërë propozimin e tij dhe kërkoi me çdo kusht të largohej te familja, për punët e tij. Kërkoi të largohej. Do t’i jap nesër dokumentet, atë ditë që u largua ka marrë një shumë të konsiderueshme.

Është i vetmi futbollist që tentoi të bënte një kontratë shtesë edhe për muajt korrik e gusht. Ngoo është sot me një diferencë prej 5300 euro bonus, në kontratë e ka pasur 10 mijë euro, 5 mijë për titullin dhe 5 të tjera për golat e asistet.

Atë ditë që u largua i dhamë 13 mijë euro, mbetet edhe një diferencë e muajit shtator. Nuk kam thënë që Ngoo nuk di të luajë futboll dhe nuk do të luajë më, kam thënë që do të jetë e vështirë të shkojë në një klub tjetër.

E njoh mirë, ka disa teka që vështirë t’ia pranojnë diku tjetër. Ne e kemi gëlltitur, ka pasur edhe raste për gjoba, por nuk kemi bërë gjë. Ngoo ka qenë, ndoshta është akoma në Tiranë. Do mendohemi për të ardhmen e tij.

Ngoo ka shumë kohë që kërkon të kthehet, problemi është që nuk ishim dakord të bënim këtë sakrificë financiare. Është vendim i vështirë nga gjendja që ka, do të mendohemi, kur të kemi diçka konkrete do t’u themi juve”, deklaroi Halili. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!