Mbrëmjen e sotme disa qytetarë dhe aktivistë në Shkodër kanë zhvilluar një protestë simbolike në heshtje duke ndezur qirinj pranë pedonales në shenjë homazhi për të riun Klodian Rasha, që u ekzekutua nga policia në orët e para të ditës së sotme në Tiranë.
Protesta homazh mbrëmjen e sotme u zhvillua pas orës 22:00 duke thyer kështu orën policore që është vendosur për shkak të koronavirusit. Marshimi ka qenë në heshtje.
Policia e Shkodres ndonëse ka patrulluar nuk ka penguar aktivistët në marshimin dhe grumbullimin e tyre, edhe pse është e ndaluar. Qytetarët kanë përcjellë mesazhin se thyerja e orarit policor nuk mund të bëhet shkak për veprime ekstreme.
Marshimi është mbyllur me vendosjen e qirinjve në dyert e prefekturës si një institucion në varësi të qeverisë.
Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat konstatoi se efektivi i policisë ka thyer ligjin për përdorimin e armëve. Veprimi i tij duke qëlluar me pistoletë në kokë dhe shpatull 25 vjeçarin nuk ka qenë në proporcion me rrezikun që ka pasur (lexo ketu)./ db/Abcnews.al