Nis procesi i licencimit të klubeve të Superiores. FSHF ka dalë me njoftim dhe deri në fund të muajit mars të gjithë klubet duhet të kenë dorëzuar dosjet, në mënyrë që të shikohet nëse i plotësojë kushtet për të marrë pjesë në kampionat sezonin e ardhshëm, si dhe në garat ndërkombëtare.
NJOFTIMI I FSHF – Sektori i Licencimit në Federatën Shqiptare të Futbollit informon të gjithë klubet dhe opinionin publik se ka filluar procesi i licencimit të klubeve aplikante për një licencë në kompeticionet e FSHF-së dhe UEFA-s për sezonin e ardhshëm 2021-2022.
Ky proces do të përmbyllet më 31 Mars 2021, sipas afateve të vendosura nga UEFA. Gjatë kësaj periudhe klubet aplikante për licencë duhet të paraqesin në Sektorin e Licencimit në FSHF të gjithë dokumentacionin e kërkuar për të përmbushur pesë kriteret që kërkohen për të përmbyllur me sukses këtë proces.
Duke filluar me kriterin sportiv, atë infrastrukturor, administrativ, ligjor dhe kriterin financiar, i cili është edhe kriteri me peshë specifike në raport me kriteret e tjerë. Ashtu si edhe në vitin e shkuar, Sektori i Licencimit do të organizojë seminare dhe takime bilaterale me të gjithë klubet aplikante për licencë, për t’i asistuar dhe ndihmuar në këtë proces, njofton FSHF përmes faqes zyrtare në ueb. /abcnews.al