Refik Halili, presidenti i Tiranës, në emisionin “Pressing” në ABC ka folur për emra të veçantë dhe merkaton bardheblu. “Keqardhje për ndonjë largim? Nuk kam keqardhje për asnjë largim, pasi futbollistët janë vlerësuar. Sa i takon merkatos, kuptohet që ka edhe dështime. Po marr shembull Skënderbeun, që kanë pasur trajtim special futbollistët. Ishin model që bënë mirë, janë për t’u marrë shembull. U kemi ofruar bonuse lojtarëve, nëse shkonim në grupe”.
“U thashë se do merrnim nga 35 mijë euro për kualifikimin, të tjerë do merrnin mbi 22 mijë euro. Sot na ka ikur Doka, por kemi marrë Toshevksin, që është i Maqedonisë së Veriut. Marrim të ardhura për çdo grumbullim të tijin me kombëtaren. Ne marrim 200 mijë euro të tjera, nëse vazhdon e grumbullohet me kombëtaren. Morëm një portier me eksperiencë, i cili na sjell 54 mijë euro nga grumbullimet. Edhe Najdovski është lojtar i mirë”.
“Për lojtarët afrikanë, marrim katër dhe po dolën dy jemi mirë. Kemi marrë të ardhura nga shitja e tyre. Ka edhe dështime, si Avdijaj. Në fund, nëse flasim për Cobbinah, ai ikte me parametra zero. Ai solli një ofertë dhe hoqi dorë nga një pjesë e rrogës së tij (220 mijë). Ne morëm rreth 150 mijë euro nga kjo lëvizje. Me këto para do tentojmë të bëjmë merkato. Shpresojmë të godasim në shenjë. Ndonjë menaxher, nëse sjell ndonjë të mirë, e presim krahëhapur”.
“Muçi? E kemi bërë një vit dhe e kam kërkuar unë. Për 400 mijë euro ne mbaronim punë për 5 minuta. Kemi pasur besim se po të qëndrojë edhe një vit do t’i rritet vlera e kartonit. Gjithashtu edhe si lojtar do të rritet. Mucci mund të ikë edhe në janar, edhe pse unë nuk jam dakord. Në fund mund të ikë”.
“Të rinjtë? Kemi Ccelhakën, Ismajlgecin, Sefen, Stafin, afrikanët e sjellë. Jemi në një drejtim dhe nuk do të ndalemi. Do të afrojmë nga akademia. Ata që kanë luajtur nuk i quaj më të rinj. Nëse na jepet mundësia ta shesim, për shembull Ismajlgecin, kemi Omar Musain mjaft të mirë. Kemi 310 fëmijë në akademi dhe nuk po u marrim shumë të ardhura”.
Një pjesë nuk paguajnë fare dhe presim që të japin diçka më shumë në fushë. Janë shtuar shpenzimet, kemi kampionate U13 dhe më tej me moshat, si dhe ekipin e femrave. U kemi hequr transportin dhe shpresojmë të mbledhim më të mirët. Në vazhdim urojmë të bëjmë një akademi me hotel dhe një godinë”.
“Mund të sjellim një lojtarë nga Superliga e Meksikës. Sa i takon Ferhan Hasanit, ka pasur palë të treta që kanë folur. Për para nuk mbetet gjë, janë gati 150 mijë eurot e fituara nga shitja e Cobbinah”, tha Refik Halili mes të tjerash. /abcnews.al