Ferhan Hasani, i njohur ndryshe si Buba, është rikthyer sërish në skenën e Superiores. Mesfushori me tipare sulmuesi, i cili luan edhe si sulmues i dytë, po tentohet nga Tirana.
30-vjeçari doli kampion në Finlandë sezonin e fundit, duke shënuar 5 gola në 9 ndeshje me fanellën e Helsinki dhe sipas “Panorama Sport” Tirana ka bërë gati një pagë të “majme” për shqiptarin nga Maqedonia e Veriut.
120 mijë euro në sezon për Hasanin, i cili do të bëhej lojtari më i paguar në Superiore. Kjo lëvizje do e përforconte Tiranën, që këtë sezon nuk e ka nisur mirë. Bardheblutë dolën vjet kampionë dhe duan të jenë sërish të parët në fund të kampionatit.
Hasani është një lojtar me CV ta pasur, që ka fituar edhe në Maqedoninë e Veriut me Shkëndijën e Tetovës. Në vitin 2018 ai shpërtheu me 22 gola në kampionat, ndërkohë që në shkuarën ka luajtur edhe në Danimarkë me Brondby dhe në Gjermani me Wolfsburg. /abcnews.al