Udhëzimet e reja nga Qendra Europiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC) dhe Agjencia e Sigurisë së Aviacionit të Bashkimit Europian (EASA), theksuan se “përhapja e SARS-CoV-2 tek njerëzit që udhëtojnë me avion vlerësohet të jetë më e ulët se përhapja në përgjithësi te popullsia ose midis kontakteve të rasteve të konfirmuara.”
Sipas udhëzimeve, përhapja e Covid-19 midis njerëzve që udhëtojnë besohet të jetë në më pak se 1%.
“Provat e disponueshme nuk mbështesin karantinën dhe testimin e udhëtarëve si një masë efektive e shëndetit publik e cila do të zvogëlojë ndjeshëm transmetimin e përgjithshëm në popullatë. Në situatën aktuale epidemiologjike, karantina ose testimi sistematik për njerëzit që udhëtojnë nga ajri në lidhje me SARS-CoV-2 nuk rekomandohet,” shtoi agjencia shëndetësore e BE-së.
Raporti i përbashkët argumentoi se udhëtarët nuk duhet të trajtohen “si një popullatë me rrezik të lartë” nëse nuk kanë qenë në kontakt me një rast të konfirmuar me Covid-19 dhe se thjesht duhet t’u nënshtrohen të njëjtave rregulla si popullata lokale.
The Airports Council International (ACI) Europe, një shoqatë për udhëtimet në industrinë e aviacionit, mirëpriti raportin dhe u kërkoi vendeve anëtare të heqin “menjëherë masat e karantinës dhe kufizimet e tjera të udhëtimit”.
Në lidhje me çështjet e udhëtimit, të cilat do të rriten në rajon me rastin e Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri, Komisioni Europian tha se kërkesa për karantinim “mund të bëhet kur situata epidemiologjike në rajonin e origjinës është më e keqe se vendi i destinacionit”.
Organi ekzekutiv i BE-së ka bërë thirrje për një qasje më të harmonizuar, por vendet anëtare, në pjesën më të madhe, kanë zbatuar kufizimet për udhëtarët që vijnë nga brenda ose jashtë vendeve të BE-së./abcnews.al