Policia e Shtetit reagon pas akuzave të opozitës në Kuvend: Sulme të pabazuara

schedule16:48 - 3 Dhjetor, 2020

schedule 16:48 - 3 Dhjetor, 2020

Policia e Shtetit ka reagauar pas akuzave të deputetëve të opozitës ditën e sotme në Kuvend. Në një deklaratë të shpërndarë për mediat, theksohet se sulmet nominale të pabazuara dhe të padrejta kundër punonjësve të Policisë së Shtetit janë të papranueshme dhe të dëmshme për interesin publik.

“Drejtuesit kryesorë të Policisë së Shtetit kanë kaluar me sukses procesin e vettingut dhe janë duke kryer me përkushtim, profesionalizëm e ndershmëri detyrat përkatëse”, thuhet në deklaratë.

Në seancën e sotme në Kuvend ligji për Policinë e Shtetit i rikthyer për shqyrtim nga presidenti Meta përplasi opozitën me mazhorancën.

Reagim i plotë i Policisë së Shtetit:

Në interes të opinionit publik, Policia e Shtetit shpreh indinjatën e thellë për deklaratat e herëpashershme të disa deputetëve të caktuar, në sallën e Kuvendit, të cilët kanë përbaltur padrejtësisht punonjësit e Policisë dhe drejtuesit e saj.

Sulmet nominale të pabazuara dhe të padrejta kundër punonjësve të Policisë së Shtetit janë të papranueshme dhe të dëmshme për interesin publik.

Drejtuesit kryesorë të Policisë së Shtetit kanë kaluar me sukses procesin e vetingut dhe janë duke kryer me përkushtim, profesionalizëm e ndershmëri detyrat përkatëse.

Të gjitha strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara maksimalisht për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, parandalimin dhe goditjen e krimit në përgjithësi dhe atij të organizuar në veçanti. Rezultatet domethënëse dhe të pa regjistruara më parë përgjatë tridhjetë viteve kundër paligjshmërisë në tërësi e dëshmojnë qartë këtë.

Njëkohësisht, në përmbushje të misionit të mbrojtjes së jetës, strukturat e Policisë së Shtetit në të gjithë vendin janë duke monitoruar zbatimin e masave mbrojtëse për parandalimin e përhapjes së COVID-19, duke sakrifikuar në vijën e parë, me qëllimin jo ndëshkimin e qytetarëve, por mbrojtjen e jetës.

Reagimi i menjëhershëm i strukturave të Policisë ndaj ngjarjeve të fundit kriminale, profesionalizmi i treguar në zbardhjen e shumicës së tyre, si dhe operacionet e shumta të zhvilluara pothuaj çdo javë me partnerët ndërkombëtarë tregojë se Policia e Shtetit është tashmë një organizatë profesionale dhe e besueshme nga partnerët.

Policia është vetëm e shtetit dhe e qytetarëve në funksion të zbatimit të ligjit dhe të asnjë interesi tjetër.

Ndaj i bëjmë thirrje kujtdo që aludon, akuzon apo përbalt punonjësit e Policisë dhe drejtuesit e saj që të ndalë këto sulme pasi dëmtojnë reputacionin e organizatës dhe i japin krahë krimit.

Ftojmë qytetarët, aleatin tonë më të çmuar dhe të besuar që të mbështesë akoma më shumë Policinë duke shpërfillur çdo zë abuziv, që synon vetëm e vetëm të faktorizojë veten e të implikojë padrejtësisht strukturat e Policisë duke dëmtuar rëndë veprimtarinë e saj të shenjtë, atë të shërbim e në mbrojtje të qytetarëve ??

#MëshumëSiguri

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!