Nga Ema Shazivari
Shifrat e larta të viktimave nga Covid vijojnë të jenë prezente në vendin tonë. Shumë familjarë presin në dyert e spitaleve Covid për të mësuar rreth fatit të familjarëve të tyre. Një qytetare me lot në sy para Sanatoriumit tregon se si mëngjesin e kësaj të enjte nga spitali e kanë marrë në telefon dhe i kanë dhënë lajmin e hidhur për ndarjen nga jeta të gjyshes së saj.
Mes dhimbjen ajo nuk tregon as emrin e viktimës, por thekson se ka disa orë që endet nga morgu në spital, në kërkim të trupit të pajetë të gjyshes. Por askund nuk po gjen përgjigje.
“Shkuam tek morgu na thanë se nuk është atje. Folëm me doktoreshën dhe na tha se është akoma aty por se është prish ashensori dhe ka shumë njerëz. Kemi gjithë ditën që vijmë vërdallë,na njoftuan në orën 6 të mëngjesit por nuk e di kur mund të ketë vdekur”, është shprehur ajo.
Në mendje ka çastet e fundit kur ka komunikuar përmes videos me gjyshen e saj të ndjerë.
“Dje në darkë deri në 12 folëm. E pamë domethënë. Pardje ka qenë shumë mirë, e kishte oksigjenin e lartë, kurse dje e ka pasur oksigjenin e ulët, dhe po i thoshim infermieres, na trego parametrat, dhe ajo nuk po na i tregonte”, ka thënë ndër të tjera ajo
Ndihet keq që lajmin e vdekjes së njeriut të tyre të afërt nuk ua komunikoi mjekja që po e ndiqte .
“Doktoresha nuk është përgjigjur fare. E morëm tani të na sqaronte. E pyetëm pse nuk na ka marrë, na tha nuk dija si t’ia u thoja. Tani çfarë është kjo nuk dija si t’iu thoja. A është doktoreshë apo çfarë është? Ajo nuk na mori fare në telefon të na thoshte që ka vdekur, e kemi marr vesh nga një infermiere a sanitare, nuk e di çfarë ishte”, është shprehur ndër të tjera qytetarja.
Madje ka dyshime se gjatë dy javëve të trajtimit në spital, gjyshes së saj 75 vjeçare nuk i është dhënë shërbimi i duhur nga stafi mjekësor.
“Gjatë gjithë dy javëve ne i kemi sjellë ushqime, rroba. Ajo as nuk është ndërruar, as nuk është ushqyer. Të gjitha ushqimet që ne i kemi sjellë na i kanë zbritur po prap poshtë”, e mbyll fjalën e saj mbesa e 75 vjeçares.
Pacientja sipas mbesës së saj, po trajtohej me oksigjeno terapi dhe ishte e vetëdijshme deri në çastet e fundit të jetës./abcnews.al