Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj ka deklaruar në studion e Radarit Informativ në ABC me gazetaren Jonida Shehu, se deri më sot 200 familje të cilat kanë pësuar dëme nga tërmeti i 21 shtatorit dhe 26 nëntorit të kaluar kanë marrë çelësat e banesave të reja në dorë. Veliaj tha se se një pjesë e mirë e banesave të mbetura, pritet të përfundojnë para Vitit të Ri.
“Sot filozofia është qyteti 15 minutësh. Pra larg nga shtëpia jote të kesh 15 minuta larg punën, shkollën, bankën. Rreth 200 familje të cilat kanë pësuar dëmtime nga tërmeti kanë marrë çelësat në dorë. Për sa kohë të gjithë njerëzit janë në shtëpi, është vetëm çështje kohe. Janë shtëpi që shumica do përfundojnë para vitit të ri”, deklaroi Veliaj.
Ai theksoi se në lagjet e reja që do të ndërtohen nuk do të ketë hapësirë për ndërtime private. Sipas Veliajt 12 pallatet e para kanë nisur të ndërtohen dhe pritet të strehojnë rreth 11 mijë persona.
“Jemi në diskutim me Universitetin, sepse duam të ketë edhe disa Fakultete, sepse të ketë jetë studentore. Ideja është e Tiranës Policentrike, ku lagjja e re në Kombinat, “5 Maji”, por edhe lagjet ekzistuese si Lapraka, Ali Demi, të shërbejnë si qendra polifunksionale. Sot filozofia më e madhe në kryeqytetet evropiane është qyteti 15 minutësh. Pra ideja është pa pasur nevoja për të përdorur makinën, a mundesh duke ecur në një rreze prej 15 minutash nga shtëpia jote të kesh shërbimet bazë. Do të ketë vend vetëm për ndërtesa publike. Nuk do ketë hapësirë për ndërtime private pasi kjo tokë është në pronësi të Bashkisë së Tiranës. Në disa prej pronave në Kombinat ka çudira shqiptare. Në fund të 2021 kemi objektiv të kemi strehuar të gjithë banorët që kanë pësuar dëme nga tërmeti”, përfundoi Veliaj./mv.abcnews.al