Samiti i Londrës, Mogherini: Ballkani kreu reformat, BE i detyrohet mbështetje

schedule22:36 - 10 Korrik, 2018

schedule 22:36 - 10 Korrik, 2018

Në ditën e dytë të samitit të Londrës për Ballkanin, shefja e Politikës së Jashtme të BE-së, Federica Mogherini ka deklaruar se rajoni e meriton mbështetjen e Unionit në procesin e integrimit. Ndërsa kancelarja Angela Merkel e ka vënë theksin tek mbështetja për zhvillimin ekonomik të Ballkanit.

Samiti i pestë i Ballkanit Perëndimor në kuadrin e procesit të Berlinit kulmoi me takimin e 6 liderëve të rajonit me disa liderë të Bashkimit Europian dhe zyrtarë të institutioneve europiane. Në fillim të samitit, shefja e diplomacisë europiane, Federica Mogherini ka tërhequr vëmendjen mbi faktin, se vendet e Ballkanit Perëndimor kanë kryer reforma të rëndësishme në rrugën e integrimit europian, për të cilat BE u detyrohet mbështetje.

Federica Mogherini, shefja e diplomacisë europiane: “Ne u detyrohemi vendeve të Ballkanit Perëndimor vëmendjen dhe mbështetjen që ata meritojnë, pasi qytetarët e Ballkanit dhe veçanërisht të rinjtë na rikujtojnë gjithnjë anën tërheqëse të Bashkimit Europian, se është një organizatë vitale dhe e vërtetë. Ndonjëherë kjo kuptohet më mirë nga jashtë sesa nga brenda”.

Në konferencën përfundimtare për shtyp, kancelarja gjermane Angela Merkel ka treguar përkushtimin në vazhdim ndaj procesit të Berlinit për mbështetje të zhvillimit ekonomik, të ndërlidhjes në fushën e infrastrukturës dhe energjisë në rajon, si edhe nxitjen e shkëmbimeve midis qytetarëve dhe të rinjve të vendeve të rajonit. Ndërkohë pas anoncimit të investimit britanik në fushën e dixhitalizimit të 4500 shkollave në rajon, si dhe në fushën e asministratës publike në Maqedoni dhe Malt të Zi dhe për reformën e drejtësisë në Shqipëri dhe Kosovë, kryeministrja britanike Theresa May ia ka kaluar stafetën kryeministrit polak, Mateusz Morawiecki, i cili gjatë presidencës polake synon të transmetojë te vendet e Ballkanit eksperiencën e Polonisë në reformën administrative dhe thithjen e fondeve të Bashkimit Europian. Në samitin e Ballkanit Perëndimor në Londër është nënshkruar gjithashtu marrëveshja për një seli në Serbi të komunitetit të transportit. /abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!