Barcelona fitoi ditën e djeshme me shifrat 4-0 ndaj Osasuna, teksa Leo Messi ishte autor i njërit prej golave, të cilin e festoi në një mënyrë të veçantë në nder të Diego Armando Maradonës.
Leo hoqi fanellën e Barçës dhe nxori një të Maradonës, të cilën “El Pibe de Oro” e kishte veshur kur luante me Newell’s Old Boys, klubi ku Leo hodhi hapat e parë.
Në lidhje me këtë gjest të argjentinasit ka folur së fundmi ish-shoku i Messit në kombëtare dhe një nga miqtë e ngushtë të “Pleshtit”. Rodrigues tregon se e kontaktoi Messin pas atij gjesti dhe Leo iu shpreh se atë gjest e kishte ndjerë ta bënte.
“Kur pashë atë që bëri shkova në dhomë dhe i dërgova një mesazh. Madhështia e Leos është mbresëlënëse. Le ta shijojmë faktin se ai dhe Maradona janë argjentinas.
Sot kemi mundësi të shijojmë Leon në fushën e lojës dhe ai gjest që ai bëri është për t’i hequr kapelën. Ajo foto do të gdhendet në zemrat e argjentinasve dhe të njerëzve në mbarë botën. Ajo që Leo bëri është e mrekullueshme. Ai tregon qartë cilësitë e tij si njeri.
Unë fola me të më vonë. Më tha se e ndjeu nga zemra ta bëjë atë gjest. Kjo është gjëja më e rëndësishme, kur dikush e bën diçka sepse e ndjen. Më pas gjithçka është mëse e mjaftueshme”, u shpreh Rodrigues. /abcnews.al