Sardi Strugaj është një personazh i njohur për muzikën shqiptare. Rrugëtimin në muzikë e ka nisur që në moshë të vogël në konkursin “Gjeniu i vogël” për të vijuar më tej në të tjera gara si “Promo Fest, “X Factor” dhe në “Kënga Magjike”. Së fundmi, ai ka marrë pjesë në Festivalin e Këngës me projektin që mban titullin “Ka me t’ba me kajt”.
I ftuar këtë të hënë në emisionin “Abc-ja e mëngjesit” përballë moderatorit Alban Musa, artisti tregoi pse kishte vendosur të merrte pjesë në një festival të tillë. Këngëtari u shpreh se qëllimi i tij primar nuk ishte të rrëmbente çmimin e parë, por të arrijë që të vendosë gjurmë të rëndësishme në tregun muzikor vendas.
“Është një eksperiencë që ia kam kursyer vetes deri më tani, pasi kam dashur të punoj me veten. Nuk e kam pranuar as me miqtë e mi, të jem i sinqertë në momentin që kam dorëzuar këngën tek aplikimet më kapi një farë pasigurie nëse jam gati sepse si festival e çmoj goxha.
Mendoj se është një festival përtej faktit që zgjedh fituesit, për mua rëndësi ka historia, dua të lë histori në muzikën shqiptare. Kam gjetur festivalin si një nisje për të lënë firmën time në muzikën shqiptare, Feedbacku ka qenë shumë pozitiv dhe më ka nxjerrë nga këto pasiguri.”, tha Sardi. /abcnews.al