Këshilltari i lartë i Shtëpisë së Bardhë, Jared Kushner, pritet që këtë javë të zhvillojë një vizitë zyrtare në Arabinë Saudite dhe Katar. Vizita e tij vjen në kohën kur tensionet në këtë rajon janë rritur për shkak të vrasjes së shkencëtarit të lartë bërthamor të Iranit pranë Teheranit nga sulmues të panjohur.
Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë tha më 29 nëntor se Kushner do të takohet veçmas me Princin e Kurorës Saudite, Mohammed bin Salman në qytetin saudit Neom dhe me emirin e Katarit. Deklarata tha se Kushner i cili është gjithashtu është dhëndri i presidentit, Donald Trump – do të shoqërohet nga të dërguarit e Lindjes së Mesme, Avi Berkoëitz dhe Brian Hook.
Adam Boehler, shefi i Korporatës Ndërkombëtare të Financave të Zhvillimit të SHBA, do të jetë gjithashtu pjesë e delegacionit. Kushner dhe ekipi i tij kanë ndihmuar në negocimin e marrëveshjeve të normalizimit midis Izraelit dhe Bahrejnit, Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Sudanit gjatë këtij viti.
Zyrtarët e administratës amerikane thanë se ekipi po përpiqet të arrijë më shumë marrëveshje të tilla para se mandati i Trumpit të përfundojë më 20 janar.
Arabia Saudite e banuar me myslimanë sunitë, është një rivale e ashpër e Iranit të udhëhequr nga shiit-ët. Të dyja vendet luftojnë për ndikim në Lindjen e Mesme. Shkencëtari bërthamor iranian, Mohsen Fakhrizadeh, u vra në një pritë pranë Teheranit më 27 nëntor, në një sulm që kërcënon të përshkallëzojë tensionet midis Iranit dhe në anën tjetër Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit./abcnews.al