Është ndarë nga jeta në moshën 42-vjeçare Papa Bouba Diop, ish-mesfushori i njohur i Senegalit. Afrikani vuante prej kohësh nga një sëmundje e rëndë, teksa sot ka mbyllur sytë për herë të fundit në moshë shumë të re.
Diop u bë i famshëm në Botërorin e vitit 2002, që u zhvillua në Japoni dhe Korenë e Jugut. Luhej sfida hapëse mes Francës kampione në fuqi dhe Senegalit të panjohur. Kombëtarja afrikane i surprizonte të gjithë, fitonte 1-0 dhe golin e fitores e realizonte Papa Boupa Diop.
Senegali nuk u ndal dhe arriti deri në çerekfinalet e atij Botërori, duke i bërë të gjithë për vete me futbollin e bukur, ndërsa ish-mesfushori e mbylli turneun me tre gola të realizuar.
Gjatë karrierës së tij u aktivizua me klube si Grasshopers, Lens, Fulham, Portsmouth, AEK Athinë dhe West Ham, ndërsa me kombëtaren e tij shënoi 11 gola në 63 ndeshje të zhvilluara.
Në Zvicër u shpall kampion, fitoi FA Cup (Portsmouth) dhe të Greqisë (AEK Athina), ndërsa me Senegalin, vend ku cilësohet si një hero për faktin që i shënoi dhe fitoi ndaj kampionëve të botës, u shpall nënkampion Afrike në vitin 2002. /abcnews.al