Myrto Uzuni përjetoi një ëndërr në mesjavë, kur i shënoi Juventusit dhe më pas festimi “Siuuu” si Cristiano Ronaldo mori vëmendjen e gjithë botës. Beratasi, i cili në Superiore ka luajtur me Apoloninë dhe Laçin, tregon se nuk e kishte menduar atë festim dhe se e bëri instinktivisht.
“Nuk e kisha menduar si festim, por unë e ndjek shumë Juventusin dhe shkova direkt te këndi dhe festimi erdhi instinktivisht”, shprehet Uzuni në “Sportime” në Supersport. Ai tregon më pas edhe bisedat me yjet e kampionëve të Italisë.
“Ronaldo më përgëzoi në fund të ndeshjes, ndërsa Morata më bëri komplimente gjatë kohës që po jepnim intervista. Më tha se bëra një ndeshje të madhe. Nuk është pak kur merr përgëzime nga dy lojtarë të mëdhenj si Ronaldo dhe Morata. Nuk e prisja”, shton sulmuesi i kombëtares shqiptare.
Uzuni flet edhe për rëndësinë e menaxherit dhe hapat në karrierë: “Besoj se një lojtar duhet të ketë në kokë qëllimet e tij dhe menaxheri ka punë të rëndësishme te një futbollist. Kam pasur shumë bërryla në karrierën time, por unë i kam objektivat e qarta dhe do të vazhdoj me këto ritme.
Unë eci me hapa të sigurt dhe dua t’i marrë hapat një e nga një. Kam marrë shumë urime për golin ndaj Juventusit, por më të rëndësishme ishin nga familja ime”. Uzuni është pjesë e Ferencvaros, klub që pagoi 1.8 milion euro për ta transferuar nga kroatët e Lokomotiva Zagreb. /abcnews.al