137 kg kokainë nga Ekuadori, SPAK merr të pandehur Gentian Malindin

schedule13:27 - 27 Nëntor, 2020

schedule 13:27 - 27 Nëntor, 2020

Prokuroria e Posaçme Anti-Korrupsion merr të pandehur biznesmenin Gentian Malindi, peshkatarin Altin Myslihaka dhe punonjësin e sigurisë në portin e Durrësit, Adrian Bega të cilët dyshohen si të përfshirë në trafikimin e 137 kg kokainë nga Ekuadori. Sasia e kokainës u bllokua në Portin e Pireut dhe u zëvendësua me oriz.

Gentian Malindi i cili ndodhet në arrati, është konsideruar nga hetimet si personi që ka dalë garant për të marrë drogën nga kontejneri e më pas për ta dërguar në destinacionin e përcaktuar nga grupet kriminale. Gjatë transportit Malindi, ka zbuluar se në pakot ku mendonte se kishte kokainë ishte futur oriz dhe lokalizues satelitor, duke e hedhur çantën menjëherë nga automjeti që ishte në vëzhgim nga Forcat Operacionale Speciale.

Në burg për këtë ngjarje janë Ardian Bega, oficeri i sigurisë në Portin e Durrësit, si dhe punëtori në anijen e Gentian Malindit, Altin Myslihaka. Prokuroria ka dyshime se të implikuar në trafikimin e 137 kg kokainë janë disa anëtarë të tjetër të grupeve kriminale që veprojnë brenda territorit Shqiptar kryesisht në Elbasan, Fier e Vlorë. /mv.abcnews.al