Mrekulli e Kroacisë, mund Rusinë, kalon në gjysmëfinale të Botërorit

schedule10:23 - 8 Korrik, 2018

schedule 10:23 - 8 Korrik, 2018

Kroacia është gjysmëfinalistja e fundit e Botërorit. Eleminoi Rusinë pas penalltive, dhe do të ndeshet me Anglinë, për një vend në finale.

Nuk mund të fitojë ndryshe, përveçse kështu.

Kjo është Kroacia e madhe e një vendi të vogël, që mposhti kombëtaren e shtetit më të madh në botë, Rusisë, për të arritur në gjysmëfinale të Botërorit.

Në pengesën e fundit përpara finales do të kenë Anglinë.

Nuk mjaftuan 90 minuta, madje as 120, dhe ashtu si kundër Danimarkës, shpëtimtari u bë portieri Danijel Subashiç, vendimtar tek gjuajtjet e penalltive.

Numri 1 kroat, këtë herë priti vetëm një 11-metërsh, por edhe kaq mjaftoi, sepse rusët gabuan më shumë.

Gjithsesi, Subashiç pati fat, pasi kaloi shpejt një dëmtim që u duk serioz në minutën e parafundit.

Nëse ai nuk do të kishte qenë, historia e penalltive mund të kishte qenë ndryshe.

Çerekfinalja në stadiumin e Soçit u parashikua pikërisht në favor të Kroacisë, veçse suksesi ishte më shumë sesa i vuajtur.

Rusia, e udhëhequr nga trajneri Çerçesov, mbiquajtur “Komandanti”, sfidoi çdo vlerësim teknik të bërë para ndeshjes, duke mos lejuar të shkelej me këmbë.

Kaloi e para në avantazh dhe nuk u dorëzua as kur potenciali shumë më i madh kroat solli përmbysjen.

Në minutat e fundit të shtesës së dytë, barazoi rezultatin duke treguar një forcë të madhe psikologjike.

U mund me meritë nga një ekip më i fortë, por duke dalë me kokën lart nga Botërori, duke bërë krenar një komb të tërë dhe presidentin Putin, I cili këtë herë nuk ishte në tribunë.

Aty ishte presidentja e Kroacisë, Kolinda Grabar-Kitaroviç.

Yjet kroatë tani ëndërrojnë të mundin dhe Anglinë, e të kalojnë mrekullinë e brezit të artë të vitit 1998.