Mezini: Të sigurohet mbrojtja e bluzave të bardha, s’kemi luksin të humbim mjekë

schedule12:48 - 26 Nëntor, 2020

schedule 12:48 - 26 Nëntor, 2020

Në një intervistë për ABC, me Juli Xhokaxhi, mjeku Arjan Mezini u bëri thirrje qytetarëve që të respektojnë rregullat.

Mjeku i cili, po rikuperohet pas infektimit me koronavirus, tha se respektimi i rregullave është e vetmja mënyrë për t’u mbrojtur. Më tej, Mezini shprehu shqetësimin te humbja në radhët e bluzave të bardha, ndërsa bëri apel që të sigurohet mbrojtja e tyre.

“Garantimi i mbrojtjes maksimale të personeli shëndetësor, e në spitalet Covid e kemi, por sidomos në spitalet rajonale dhe qendrat shëndetësore. Nuk e kemi më luksin të humbin mjekë dhe infermierë. Po punojmë në kushte të sforcuara. Duhet ta kursejmë personelin shëndetësor duke e mbrojtur në maksimumin e mundshëm”, tha mjeku.

LEXO EDHE: Mjeku Arjani Mezini rrëfen infektimin me Covid-19: Nuk mendoj se e mora në spital

Mezini sheh dy probleme në strategjinë që po përdoret për të përballuar pandeminë. Sipas tij testimet janë të pakta si dhe nuk po shikohet me rigoroziteti izolimi i personave që janë të infektuar.

“Ka probleme te testimi i pakët dhe rigoroziteti i izolimit të personave që janë konfirmuar pozitivë. Spitali është hallka e fundit. Unë do kërkoja rigorozitet të bare, restorante. Ne e dimë që përhapja më e madhe vjen në ambiente të mbyllura dhe mjedise familjare. Për shkollat gjithë bota nuk i ka mbyllur dhe tregon që infektimi është i ulët. Megjithatë edhe alternativa online nëse do funksiononte pse jo”, tha ai. g.v/abcnews.al