Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka bërë me dije këtë të martë se me ftesë të Princit të Kurorës, Salman al-Khalifa, së shpejti do të zhvillojë një vizitë zyrtare në Bahrain.
Bahraini, pas Emirateve të Bashkuara Arabe normalizoi raportet me Izraelin përmes një marrëveshjeje të ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara. Vendimi i këtyre vendeve të Lindjes se Mesme shënoi një rreshtim strategjik të rajonit kundër Iranit.
Por, palestinezët janë zemëruar pasi kanë kërkuar zgjidhjen e çështjes së shtetësisë së tyre, para çdo normalizimi të raporteve me Izraelin nga ana e vendeve arabe.
Një delegacion i Bahrejnit vizitoi Izraelin të mërkurën e kaluar. Ndërkohë një ditë më parë mediat e huaja shkruanin se sipas një zyrtari izraelit Netanyahu kishte udhëtuar fshehurazi në Arabinë Saudite të dielën për bisedime me Princin e Kurorës Mohammed bin Salman dhe Sekretarin amerikan të Shtetit, Mike Pompeo, në atë që do të ishte vizita e parë e konfirmuar publikisht nga një udhëheqës izraelit.
Ministri i jashtëm i Arabisë Saudite, Princi Faisal bin Farhan Al Saud mohoi bisedimet e tilla. Netanyahu nuk i konfirmoi ose mohoi raportet.
Që nga shtatori, administrata e presidentit amerikan, Donald Trump ka ndërmjetësuar marrëveshje të Izraelit me Bahrainin, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Sudanin./abcnews.al