Një nekropol islam që daton nga shekulli VIII me 400 varre dhe mbetjet e mbi 4 500 trupave në një hapësirë prej rreth pesë hektarë, është zbuluar së fundmi në Taustes, pranë Saragozës në Spanjë.
Lajmin për zbulimin e këtyre varreve e ka bërë me dije Eva Gimenez, arkeologe që po gërmon aktualisht në zonë me kompaninë “Paleoym”.
Mediat e huaja bëjnë me dije se në vitin 711 forcat arabe filluan pushtimin e Gadishullit Iberik, ku ata qëndruan për shtatë shekujt e ardhshëm deri në vitin 1492, datë kur zona u mor totalisht nga mbretëritë e krishtera.
“Pushtimi mysliman i Taustes u konsiderua si i rastësishëm dhe madje joekzistues nga disa burime, por shoqata kulturore e rajonit ka dyshuar prej kohësh se zona strehonte një koloni të madhe islame për shkak të të dhënave arkitektonike dhe mbetjeve njerëzore gjetur në qytet”, ka thënë drejtoresha e Observatorit Antropologjik të Nekropolit Islamik të Taustes me shoqatën kulturore “El Patiaz”, Miriam Pina Pardos.
“Është e rrallë të gërmosh dhe të gjesh 400 varre. Është e pabesueshme”, ka thënë ajo.
Ndërkohë të gjithë skeletet ishin varrosur sipas zakoneve islame, të pozicionuar në të djathtë dhe të kthyer nga juglindja, drejt Mekës./abcnews.al