Gennaro Gattuso e di shumë mirë që Napoli i tij ka shumë punë për të bërë. Pas humbjes kundër Milanit ai analizon gjithçka ndodh në skuadrën e tij dhe jep mesazhe për lojtarët. “Duhet të mendojmë si skuadër. Kemi fituar ndeshje kur kemi luajtur me zemër, kur kemi pasur zjarr në sy e zemra. Duhet të mendojmë për këtë gjë, më shumë sesa për faktin që unë dhe ne nuk e bëjmë shpesh këtë gjë.
Nuk është se ne jemi të relaksuar, por bëhet fjalë për një mentalitet që po zgjat prej një kohe të gjatë. Unë jam përgjegjës dhe ndoshta duhet të kaloj më shumë kohë me skuadrën, të flas me ta dhe t’i shpërndaj këto gjëra. Kjo është detyra e një trajneri”, tha fillimisht Gattuso në Sky Sport.
Më tej ai shton: “Ajo që bëmë është se krijuam shumë raste, por nuk besuam në finalizimin e tyre. Kjo ka të bëjë me mentalitetin. Futbolli është lojë që bazohet te ndihma kundrejt njëri-tjetrit, ku duhet thënë një fjalë e mirë për shokun e skuadrës kur lufton. Ka shumë njerëz që duan të hiqen si profesorë dhe duan të të mësojnë gjithçka. Kjo më lëndon mua.
Unë e shoh futbollin krejt ndryshe nga koha kur isha lojtar. Ajo që nuk mund të pranoj është mungesa e zjarrit te skuadra ime. Në momentin e parë të vështirësisë që kemi ne ankohemi tek arbitri, ankohemi te njëri-tjetri që nuk ishte pasimi i duhur, ankohemi se jemi pa fat, ankohemi te të gjithë.
Cilësia nuk mjafton në futboll, duhet të përqendrohemi dhe të luftojmë për çdo rezultat. Unë e di se çfarë është e gabuar dhe nuk është rastësi që lëkundemi kur luajmë në ndeshje të rëndësishme. Duhet të mendojmë si ekip, me një mendje, jo si individë”.
“Rasti i Ibra për të kuq? Nuk dua të merrem me të. Në televizor duket sikur është një bërryl i Mike Tyson, por është me përsëritje të ngadaltë. Gjithsesi është një episod i parëndësishëm, ne duhet të përqendrohemi te ajo që duhet të bëjmë, te vendosmëria jonë, aftësia për të shënuar dhe këtë nuk e bëjmë. Milani beson tek Ibra, ata besojnë 100 për qind në atë që po bëjnë. Ai duket, mendoj unë, sikur është më i fortë tani, se 10-12 vite më parë”. /abcnews.al