Cuadrado flet si kapiten: I lumtur për fitoren, me Pirlon po mësohemi

schedule08:38 - 22 Nëntor, 2020

schedule 08:38 - 22 Nëntor, 2020

Juventus arriti një fitore shumë të rëndësishme dje në mbrëmje kundër Cagliarit në shtëpi. Të besuarit e Andrea Pirlos triumfuan me rezultatin 2-0 dhe tashmë e shikojnë veten në vendin e dytë të klasifikimit. Juan Cuadrado, i cili mbajti dhe shiritin e kapitenit, është shprehur shumë i lumtur për fitoren si dhe deklaron se ata tashmë po mësohen me stilin e lojës së Pirlos.

“Jam shumë i lumtur, pasi gjithmonë ndeshja e parë pas pauzës nga ndeshjet e kombëtareve është e vështirë. Megjithatë ne ishim të vendosur për të marrë tre pikët. Nëse mbajmë topin dhe vendosim në presion kundërshtarin, mund të ecim shumë përpara. Kjo është ajo që kërkon dhe trajneri. Ne duhet të luajmë në çdo ndeshje sikur ajo të jetë një finale”, deklaron kolumbiani.

“Shiriti i kapitenit? Këtu ndihem sikur jam në shtëpinë time dhe jam shumë krenar që mbajta dhe shiritin. Mundohem të jem një drejtues, si brenda ashtu edhe jashtë fushës. Ne kemi kaq shumë lojtarë, të cilët e meritojnë të jenë kapitenë si dhe të gjithë kontribuojnë në ecurinë e skuadrës”, përfundon Cuadrado për “DAZN”. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!