Në orën 11 të mesditës në Tiranë, lokale, zyra e banesa u boshatisën. Qytetarë të përfshirë nga paniku dolën në rrugë. Shkak u bë tërmeti që goditi vendin.
Lëkundjet me intensitet 6 ballë dhe magnitudë 5.1 të shkalles Rihter epiqendër kishin zonën e Gjirit të Lalëzit rreth 30 kilometra në veriperëndim të kryeqytetit dhe rreth 18 kilometra në verilindje të Durrësit, por u ndjenë në të gjithë vendin.
Tërmeti, tregojnë sizmologët, u shoqërua me 40 pasgoditje në rreth 50 minuta. Ndonëse me intensitet më të ulët lëkundjet do të vijojnë deri në qetësimin e pllakave tektonike.
“Ky është tërmet që futet në kategorinë e prag të fortë. Një tërmet i tillë, i magnitudës 5.1 shoqërohet gjithnjë me pasgoditje. Fakti tregon që nga ora 11:01 e deri në këtë moment ne kemi rreth 40 pasgoditje. Aktiviteti sizmik do të vazhdojë”.
Pas lëkundjeve që tronditën vendin, linjat telefonike ranë, ndërsa komunikimi me celular ishte i pamundur për gati një orë.
“Nuk e dimë se çfarë problemi ka ndodhur, por komunikimi është i vështirë gati i pamundur”.
Ndërkohë Qendra Kombëtare Operacionale pranë Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura bëri të ditur se deri në orën 12 e 30 minuta nuk janë raportuar lëndime në njerëz.
Ndërsa dëme materialë janë konstatuar në fshatrat Manez, Yrshek, Marqinet, në Bashkinë e Krujës dhe lagjen 17 në Durrës. Ndërkohë lëkundjet që u regjistruan në Shqipëri u ndjenë deri në Brindisi, Dubrovnik e Tetovë.