Presioni i SHBA për naftën, Irani kërcënon fqinjët

schedule22:39 - 3 Korrik, 2018

schedule 22:39 - 3 Korrik, 2018

Teherani zyrtar i është përgjigjur të martën presioneve të Shteteve të Bashkuara duke kërcënuar se do të bllokojë rrugët tregtare në rajonin e Lindjes së Mesme, nëse eksportet e naftës iraniane ndërpriten.

Presidenti iranian Hasan Ruhani ka deklaruar të martën se do të bllokojë ngarkesat me naftë të vendeve fqinje nëse pranojnë presionet e Uashingtonit për të mos blerë më naftë iraniane. I pyetur nëse deklarata e tij përbën një kërcënim, kreu i Republikës Islamike ka refuzuar të japë sqarime.

Në të kaluarën, zyrtarët iranianë kanë kërcënuar me bllokimin e rrugëve tregtare siç është ngushtica e Hormuzit, ndër më të rëndësishmet për transportin e arit të zi.

“Amerikanët kanë deklaruar se duan ta bllokojnë tërësisht eksportin e naftës iraniane, por kjo nuk ka kuptim kur nafta e fqinjëve tanë vazhdon të eksportohet”, ka thënë Ruhani.

Në Maj, Shtetet e Bashkuara u tërhoqën nga marrëveshja shumëkombëshe, që i ofronte Iranit lehtësim të sanksioneve në këmbim të pezullimit të programit të tij bërthamor. Që prej atëherë, Uashingtoni zyrtar u ka bërë thirrje të gjitha vendeve që të ndërpresin importet e naftës iraniane duke filluar nga data 4 Nëntor, ndryshe do të përballen me sanksione financiare.

Nga një konferencë për shtyp në Bernë, Ruhani ka theksuar se presioni i Shteteve të Bashkuara nuk duhet kurrësesi të ketë sukse.

“Nuk është e drejtë dhe as e mençur që një ditë të gjitha vendet prodhuese të mund të eksportojnë naftën e tyre, ndërsa Irani jo”, ka shtuar Ruhani./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!