Në muajin nëntor “Stop” transmetoi rastin e mësueses së shkollës 9 vjeçare “Ptoleme Xhuvani” në Elbasan, Lindita Sejdini, e cila u ndëshkua nga drejtoresha Ilda Nako. Sejdini kishte marrë raport në QSUT, por drejtoresha nuk ia kishte njohur atë.
Si të mos mjaftonte kjo, drejtoresha Nako kishte ngritur një komision disiplinor, për të ndëshkuar arsimtaren, por kishte falsifikuar firmat e anëtarëve të komisionit.
Pasi u vërtetua me zë dhe me figurë në emisionin “Stop”, ku raporti ishte i saktë dhe rezultoi që drejtoresha zonja Nako gënjente, pasi u vërtetua institucionalisht edhe nga QSUT-ja që ky raport ishte i rregullt, atëherë mësuesja Sejdini bëri kallzim për bëmat e drejtoreshës, por prokurori Petref Asllani vendosi mosfillimin e procedimit penal për kallëzim të rremë për Ilda Nakon.
Po kështu kryetari i gjykatës Elbasan Sulejman Kurti, ka vendosur njëlloj si prokurori Asllani duke mbyllur sytë para provave që flasin vetë.
Lindita Sejdini: Kallëzimin ndaj drejtoreshës së shkollës për falsifikimin e raportit e bëra rreth muajit Prill. Me short i ra prokurorit Petref Asllani, i cili sipas gjykimit të tij, për mungesë provash e mbylli çështjen, megjithëse unë pretendoja që kishte filmime dhe materiale të mjaftueshme, të cilët vërtetonin që falsifikimi nuk ishte nga ana ime po nga ana e drejtoreshës.
Pas gjithë kësaj etape, zoti Prokuror e mbylli çështjen duke vendosur të mosfillimin e procedimit penal. Pretendimi i zotit prokuror ishte se ky kallëzim mund të bëhet nga çdo qytetar dhe nuk sillte asnjë provë dhe asnjë implikim për një vepër penale.
Nga ana tjetër, neni 305/b i Kodit Penal thotë se në qoftë se një nga qytetarët e vendit kryen një falsifikim atëherë ata mbajnë përgjegjësi penale, ku kjo vepër dënohet deri me 6 muaj burg.
Por çuditërisht për këtë prokuror dhe më pas për gjykatën nuk përbën një shkelje edhe një kallëzim të rremë që ka kryer Ilda Nako./tvklan.al