Florian Marku ka dhënë së fundmi një intervistë të gjatë për Mirror në Angli, ku ka folur rreth ardhjes së tij në Londër, para dy vitesh. Boksieri nga Lushnja tregon se një menaxher e ftoi të zhvillonte një ndeshje në Londër dhe ai e pranoi.
Kur mbërriti në Angli, Marku zbuloi se ishte gënjyer, por në fund vendosi të qëndrojë në Angli dhe të ndërtojë një jetë të re atje. Tashmë Marku jeton në shtëpinë e tij në veri të Londrës.
“Kam ardhur këtu dy vjet më parë, tani jetoj këtu. Kisha një ofertë për një ndeshje dhe kjo ishte arsyeja që fillova këtu. Ishte një ofertë nga një menaxher, por ai nuk ishte dikush serioz dhe kur erdha këtu e kuptova se ata ishin duke bërë shaka, ata më gënjyen.
Thashë: ‘Çfarë të bëj tani? ‘. Ndeshja nuk u zhvillua, por unë qëndrova këtu, mora një shtëpi, fillova stërvitjen. Fillova të ndërtoj jetën time. Nga ajo ditë jam këtu dhe e dua këtë vend”, u shpreh Marku në intervistë. /abcnews.al